AGK do të mbajë protestë pas vendimit të MINT për Klan Kosovën. FOTO: AGK, Facebook.

AGK u bën thirrje mediave që të dalin nesër në protestë kundër vendimit për Klan Kosovën

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) u ka bërë thirrje gazetarëve, kameramanëve e fotoreporterëve, si dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile, që t’i bashkohen protestës së nesërme.

Protesta e cila do zhvillohet nesër me fillim nga ora 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”, sipas AGK-së po mbahet në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosova nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës fton kolegët gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, t’i bashkohen protestës nesër në orën 12:00, në Sheshin Zahir Pajaziti”- thuhet në njoftim.

“Demokracia  vdes në errësirë”, është motoja e protestës së thirrur nga AGK-ja.

AGK-ja thërret protestë pas vendimit të MINT-it për Klan Kosovën

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit.

Sipas njoftimit të MINT, këtë vendim e ka marrë komisioni për shqyrtimin e ankesave për regjistrimin e bizneseve.

Në njoftim thuhet më tej se pala ankuese gëzon të drejtën për të parashtruar padi në gjykatën kompetente.

“Vendimi i Komisionit konstaton se ARBK-ja, në shkallën e parë, ka vendosur në përputhje me ligjin kur e pezulloi certifikatën e biznesit të Klan Kosovës sh.p.k.. Arsyetimi i ARBK-së për pezullimin e certifikatës ka qenë se, në dokumentet e regjistrimit të kompanisë pronare të biznesit në fjalë, “KGO Media Invest DOOEL”, komunat e Republikës së Kosovës paraqiten si qytete të Serbisë, gjë që përbën shkelje të Kushtetutës sonë” – thuhet në njoftimin e MINT

Ministria thotë se “Klan Kosova” Sh.P.K. pas kaq shumë vitesh ka nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.

Ndryshe, MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër “Klan Kosova” Sh.P.K. dhe pronarëve të saj.

Në lidhje me vendimin e MINT-it, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar si jetikje lirinë e mediave, ai është shprehur se ndekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore.

“Kosova ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive. Ndjekja e rregullave të regjistrimit është një detyrë ligjore, jo një “teknikitet”. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”-ka shkruar Kurti në Twitter.

“Liritë e medias janë jetike: një sulm ndaj tyre është një sulm ndaj demokracisë. Por demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën një sulm ndaj lirisë së medias”-ka shtuar Kurti.

Kurse, ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe Bashkimi Evropian në Kosovë, përmes një reagimi të përbashkët kanë  shprehur shqetësimin e tyre të thellë për këtë vendim të MINT.

“Jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralizmin mediatik në Kosovë” -thuhet në reagim.

“Liria e shprehjes dhe informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike. Presim një proces ligjor të drejtë dhe transparent  për zgjidhjen e situates” – thuhet tutje në reagim.

Vendimin e Ministrisë e ka kritikuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

“AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend » – thuhet, ndër të tjera, në reagimin e AGK-së.

Në një reagim të saj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kërkuar të sqarohet çdo dilemë ligjore rreth rastit të licencës së ‘Klan Kosovës’.

Më 14 qershor MINT kishte marrë vendim që të pezullojë certifikatën e biznesit të shoqërisë tregtare “Klan Kosova” Sh.P.K.

Pas këtij vendimi ka pasur reagime të shumta nga akterë të shumtë në Kosovë, duke e cilësuar këtë si censurim të fjalës së lirë.

Ministria refuzon ankesën e “Klan Kosovës” ndaj pezullimit të certifikatës së biznesit