Agjencitë për Produkte Medicinale të Kosovës dhe të Kroacisë thellojnë bashkëpunimin

Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale ka thelluar bashkëpunimin me agjencinë homologe në Kroaci.

Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit, Sejdë Tolaj, me bashkëpunëtorë vizituan Agjencinë për Produkte dhe Pajisje Medicinale të Kroacisë ku u pritën nga Kryeshefi kroat, Sinisha Tomiç me shefat e departamenteve të këtij institucioni.

Palët u morën vesh që bashkëpunimi i tyre në fushën e produkteve dhe pajisjeve medicinale të intensifikohet duke shkëmbyer informacione mbi autorizim marketingun, kontrollin e cilësisë, farmakovigjilencën, pajisjet medicinale e të tjera.

“Po ashtu Agjencitë e te dyja vendeve u dakorduan që të bashkëpunojnë ngushtë lidhur me iniciativat e reja legjislative duke shkëmbyer përvojat praktike në funksion të përafrimit të legjislacionit primar dhe sekondar lidhur me produktet dhe pajisjet medicinale” – njofton AKPPM.

AKPPM ka bashkëpunime të tilla edhe me shtete të tjera, si Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë, e të tjera.