Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Shëndetësisë rikthen në treg produktin “Omeprazol”

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka kthyer në treg produktin “Omeprazol” për injeksion 40 mg.

Ky institucion ka njoftuar se vendimi është marrë pas kompletimit të analizave të kontrollit të cilësisë për këtë produkt.

“Për shkak të rëndësisë së kësaj analize, AKPPM  paralelisht me analizën e kontrollit në Laboratorin e Kontrollit të Cilësisë ka realizuar edhe testin e krahasueshmerisë për këtë produkt edhe në Laboratorin për Kontroll të Barnave në HALMED të Kroacisë. Rezultatet e fituara në parametrat e kontrolluar për produktin omeprazol për injeksion  40 mg  kanë rezultuar konform parametrave dhe standardeve të kërkuara të cilësisë në të dy laboratorët”- thuhet në njoftim.

Agjencia e Kosovës për pajisje medicinale në maj të këtij viti kishte marrë vendim që të largojë nga tregu ampulat “Omeprazol” 40 mg që përdoren për shërim të lukthit.

Vendimi ishte marrë pasi përdorimi i këtij produkti kishte shkaktuar reaksione te disa pacientë.