AKPPM: Miratimi i rregullores për kujdestaritë dhe orarin e barnatoreve nga Kuvendi i Prishtinës, i paligjshëm

Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale e ka kundërshtuar miratimin e Rregullores për kujdestaritë dhe orarin e punës së barnatoreve nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.

AKPPM-ja e cilëson këtë rregullore pa bazë ligjore pasi ata janë të vetmit që janë kompetent për këtë çështje.

“Sepse bazuar në Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale dhe Udhëzimit Administrativ për Qarkulluesit Farmaceutik me Pakicë (Barnatoret) AKPPM është i vetmi autoritet kompetent për rregullimin e tregut farmaceutik, që bën licencimin dhe rregullimin e fushëveprimtarisë se barnatoreve në Republikën e Kosovës” – thuhet në reagim.

AKPPM ka njoftuar se barnatoret se nuk janë të obliguar t’i nënshtrohen nivelit lokal për përcaktimin e orarit dhe kujdestarive.

Kjo pasi sipas tyre, drafti final i Udhëzimit Administrativ i punuar nga zyrtari përgjegjës dhe grupi punues të caktuar nga Sekretari i Përgjithshëm i MSH-së, do të përcaktojë oraret dhe kujdestaritë, i cili do të jetë i gatshëm për aprovim në MSH nga mesi i shtatorit.