Vazhdon gjykimi ndaj zyrtarëve të AKPPM-së për përvetësimin e mbi 1 milion eurove

 

Ka vazhduar të mbahet gjykimi ndaj zyrtarëve të AKPPM-së Mendim Sojeva dhe Ganimete Gashi- Ahmeti, të akuzuar se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe kanë përvetësuar mbi 1 milion euro.

Në seancën e sotme është dëgjuar eksperti financiar Emin Plakaj si përpiluesi i ekspertizës financiare në këtë rast.

Plakaj deklaroi se nga fletëtërheqjet nga banka shihet se gjatë viteve 2014-2018 janë tërhequr totali i përgjithshëm prej 1,355,441.14 euro për avanse në të cilat figuronte emri i të akuzuarit Mendim Sojeva.

Mirëpo, sipas tij, në disa prej këtyre fletëtërheqjeve nuk figuronte nënshkrimi se i ka pranuar Mendim Sojeva.

Plakaj shtoi se kishte edhe mospërputhje prej 583,621.21 euro mes raportit të thesarit dhe fletëtërheqjet nga banka lidhur me avanset e hapura dhe të mbyllura.

“Programi buxhetor AKPPM-ja ka pasur kodin buxhetor 72 mijë në thesar dhe pas kërkesës për të siguruar të gjitha avanset, për të cilat janë dërguar mjetet financiare në bankë, për këtë program thesari na ka siguruar që gjithsej janë 771,819.93 euro, diferenca është 583,621.21 euro raportit mes thesarit që ka siguru për kodin buxhetor 72 mijë dhe mjetet e tërhequra nga banka për nevojat e AKPPM-së për avanse dhe udhëtime zyrtare”- tha Plakaj

Së fundmi, sipas tij, AKPPM-ja e ka obligim ligjor ta ruaj dokumentacionin financiar për avanset.

Mendim Sojeva si udhëheqës i financave në Agjensinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) akuzohet se kishte tërhequr mbi 1 milion euro.

Këtë shumë akuzohet se e kishte tërhequr në emër të avanseve për udhëtime zyrtare të cilat nuk ka dëshmi se ishin aprovuar paraprakisht nga menaxhmenti.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) përmes këtyre veprimeve Sojeva i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 1 milion euro.

Përpos akuzës për përvetësim në detyrë ai akuzohet edhe për veprën penale të hyrjes në sisteme kompjuterike.

Këtë vepër akuzohet se e ka kryer së bashku me zyrtaren për shpenzime Ganimete Gashi- Ahmeti.

PSRK pretendon se të akuzuarit në mënyrë të pa autorizuar kanë hyrë në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK), me fjalëkalim të personave zyrtarë të Ministrisë së Financave të departamentit të Thesarit.

Sipas aktakuzës ata kanë mbyllur avanset duke bërë regjistrimin si shpenzim me certifikim të avanseve për udhëtime zyrtare, të tërhequra nga banka me user-a të zyrtarëve të AKPPM-së.