Ilustrim

Prokurori në pushim, dështon seanca në lidhje me përvetësimin e mbi 1 milion eurove në AKPPM

Sot ishte paraparë të vazhdojë gjykimi ndaj Mendim Sojevës dhe Ganimete Gashit, të akuzuar se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe kanë përvetësuar mbi 1 milion euro, mirëpo seanca u anulua, për arsyeje se Prokurori i rastit, Burim Qerkini, ndodhet në pushim.

Ky i fundit lëndën e trashëgoi nga prokurori Haki Geci, i cili së fundmi ka dalë në pension.

Për KALLXO.com këtë e ka konfirmuar zyra e kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismaili.

Mendim Sojeva si udhëheqës i financave në Agjensinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) akuzohet se kishte tërhequr mbi 1 milion euro.

Këtë shumë akuzohet se e kishte tërhequr në emër të avanseve për udhëtime zyrtare të cilat nuk ka dëshmi se ishin aprovuar paraprakisht nga menaxhmenti.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) përmes këtyre veprimeve Sojeva i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 1 milion euro.

Përpos akuzës për përvetësim në detyrë ai akuzohet edhe për veprën penale të hyrjes në sisteme kompjuterike.

Këtë vepër akuzohet se e ka kryer së bashku me zyrtaren për shpenzime Ganimete Gashi- Ahmeti.

PSRK pretendon se të akuzuarit në mënyrë të pa autorizuar kanë hyrë në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK), me fjalëkalim të personave zyrtarë të Ministrisë së Financave të departamentit të Thesarit.

Sipas aktakuzës ata kanë mbyllur avanset duke bërë regjistrimin si shpenzim me certifikim të avanseve për udhëtime zyrtare, të tërhequra nga banka me user-a të zyrtarëve të AKPPM-së.