Foto: MPJD

Agjencia për Informim dhe Privatësi e obligon MPJD-në që t’i ofrojë qasje KALLXO.com-it në kontratën e Gani Jakupit

Ka gati një muaj, pa dy ditë, që KALLXO.com ka kërkuar qasje në kontratën e Gani Jakupit dhe këshilltarëve tjerë kulturorë dhe mediatikë të kontraktuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), por ata nuk kanë dhënë qasje. 

Në anën tjetër, organi përgjegjës Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), po kërkon nga MPJD që t’ia mundësojë mediumit këtë qasje.

KALLXO.com ka kërkuar qasje në këto dokumente publike në rrugë ligjore, në mënyrë që të shihen përgjegjësitë dhe obligimet e Gani Jakupit si këshilltar që merr 7,500 euro në muaj për lobim, dhe të këshilltarëve tjerë potencial.  Pasi që nuk na është ofruar kjo qasje, KALLXO.com ka dërguar ankesë ndaj MPJD-së, te AIP.

AIP e ka aprovuar kërkesën dhe ka kërkuar nga MPJD që ta na ofrohen këto dokumente.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, ka thënë se për të ditur se çfarë detyrash dhe obligimesh ka Gani Jakupi, duhet të presin derisa të përfundojë projekti, dhe se “nuk e dëmton projektin për t’ju arsyetuar mediave”.

“….Po s’mund të flas për detyrat e tij. Kur u publikua pseudo-skandali me Gani Jakupin, u përdor personaliteti i tij, u përdor projekti që ka për ta shkatërruar projektin sepse disa projekte të caktuara bëhen në suaza të caktuara” – shtoi tutje Gërvalla, në intervistë për KALLXO.com më 16 dhjetor.

“Duhet ta flasim me agjencionin për privatësi atëherë”- tha Gërvalla, kur u pyet nëse do japin qasje.

Sipas raportimeve,  Gani Jakupi ka pagë mujore 7500 euro, me një vit kohëzgjatje, që do të thotë 90 mijë euro në vit, dhe e Jakupin që të angazhohet kryesisht në: takime me gazetarë, artistë, drejtorë festivalesh, etj.