Abdixhiku për 100-ditëshin e Qeverisë: Pronto 2 në reprizë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar 100-ditëshin e Qeverisë së Kosovës, duke e quajtur “Pronto 2 në reprizë”.

Abdixhiku mes tjerash e ka akuzuar për nepozitëm Qeverinë Kurti 2.

“‘Kushërinjtë për dasma’, ndërsa, u bënë profesionistë ndër më të zot. Bordet e Postës, të Telekomit e të UjësjellësIt i mbushën të parat me të afërmit e vet. Të tjera ndërmarrje presin fatin e njejtë. Votat qytetarëve, bordet familjarëve – kjo është parulla e re. Pronto 2 në reprizë. Kapja vazhdon veç kapësit ndryshojnë!”, ”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka përmendur edhe temat tjera si Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe bashkimin kombëtar.

“Për 100 ditë Zajednica u bë Asociacion, e Bashkimi Kombëtar i pamundshëm më. Dialogut ju hoq kërkimfalja, negociatave vetëvendosja, e reciprocitetit e drejta universale – reciprociteti tani thanë s’është zgjidhja më e mirë më. ‘S’ka rrymë më për veriorë’ u bë edhe 11 milionë; polisa kufitare ndërroj paguesin por pagesën jo; barazia sociale u bë rikthim pensionesh në lëmoshë; e paga minimale u minimalizua tërësisht. Rimëkëmbja u bë mbyllje; mbyllja zgjedhje në Lezhë; kaos pritjeje këtu, protesta ambientale atje”, thuhet në publikimin e tij.

Kreu i LDK-së ka shtuar se në zgjedhjet lokale në  tetor “do t’i japin përgjigjen e parë kësaj paaftësie të dyfishtë”.

Në Qeverinë Kurti 1, (LVV-LDK), Lumir Abdixhiku ka qenë ministër i Infrastrukturës.

Ndërkohë LDK-ja ka njoftuar sonte se nesër (e mërkurë), në orën 11:00 do të mbajë mban konferencë për media në lidhje me 100-ditëshin e Qeverisë.

Më poshtë  e gjeni të plotë publikimin e Lumir Abdhixhikut në Facebook:

100 ditëshi i Qeverisë që s’është, s’shihet, s’bën!
Qeveria Kurti po i mbushë 100 ditë, pa ndonjë rezultat e pa ndonjë shenjë që mbahet në mend. Fjalë plot, foto përplot, vepra askund – ky duhet të jetë një nga fillimet më dëshpëruese që Kosova ka pasur ndonjëherë.
Pritjet e mëdha për ndryshim u ballafaquan vërtetë me ndryshim – jo të problemeve të thella të vendit tonë, por të atyre që mbajnë karrige tjera sot. Mjaftuan 100 ditë për t’i parë se nuk dallojnë! Në pushtet, aktakuzat e pushtetarëve u bënë të parëndësishme më. Paradite në gjykatore, pasdite në Kuvend e Qeveri – në ligjerim për shtetin e fortë e shtetin e drejtë për të gjithë.
‘Kushërinjtë për dasma’, ndërsa, u bënë profesionistë ndër më të zot. Bordet e Postës, të Telekomit e të UjësjellësIt i mbushën të parat me të afërmit e vet. Të tjera ndërmarrje presin fatin e njejtë. Votat qytetarëve, bordet familjarëve – kjo është parulla e re. Pronto 2 në reprizë. Kapja vazhdon veç kapësit ndryshojnë!
Për 100 ditë Zajednica u bë Asociacion, e Bashkimi Kombëtar i pamundshëm më. Dialogut ju hoq kërkimfalja, negociatave vetëvendosja, e reciprocitetit e drejta universale – reciprociteti tani thanë s’është zgjidhja më e mirë më. ‘S’ka rrymë më për veriorë’ u bë edhe 11 milionë; polisa kufitre ndërroj paguesin por pagesën jo; barazia sociale u bë rikthim pensionesh në lëmoshë; e paga minimale u minimalizua tërësisht. Rimëkëmbja u bë mbyllje; mbyllja zgjedhje në Lezhë; kaos pritjeje këtu, protesta ambientale atje. Në letër vaksina përplot, por vaksina ende asnjë. Të fundit në Evropë; dhjetë herë më pak se secili vend në rajon. Po e arrijmë imunitetin kolektiv para vaksionimit masiv; dhe kësaj i kanë vënë emrin sukses.
Derisa Kryeministri është në dëlir prej pushteti e në transformim prej pushtetari, Ministrat e tij si gjënë askund; si sheh askund. Një armatë badihavgjinjësh në këto 100 ditë. Ata pak që shihen, prodhojnë një skandal a dy – përplasësh brenda, gaz i botës jashtë. Për arsyetim për çdo dështim gjithsesi mbajnë 20 vitet e shkuara – harrojnë se janë zgjedhur për vitet përpara. E shkuara ka marrë fund; e ardhmja s’po nisë dot.
E derisa ne vendnumërojmë me simbolikë e nisma letrash, ligje koti, e rikapje bordesh; vendet e rajonit po projektojnë porte e aeroporte, linja gazi e projekte infrastrukturore, spitale, stadiume e shkolla – mbajnë ide të mëdha sepse ëndërrojnë shumë. Qeverisë sonë i mungon edhe ëndrra edhe ideja. I kanë krejt por krejt çka japin është nga një ankim për secilin dështim.
Kuptimi i paaftësisë qeverisëse mund dhe të merr kohë, por do të ndodhë. Fryma do të bjerë sepse e thata s’qëndron gjatë dot. Popullizmi këtë ka. Flet po s’jep. Zhurmon por s’zhvillon. Ndalë por s’nisë. Ankon! Prandaj si i tillë merr fund shpejtë. Fundi i tij nisë në zgjedhjet lokale të tetorit. Ne kemi dëgjuar. Ju kemi dëgjuar mirë. Të pagabueshëm s’jemi por po përpiqemi. Prandaj dhe po ngrihemi; fort e në hapa të sigurt. Këta që i morrën krejt as s’ju shohin as s’ju dëgjojnë më; kanë familjarët e tyre për këtë. S’bëjnë sepse s’dijnë. Siç kanë qeverisur komunat, po qeverisin edhe Qeverinë. Në tetor do t’i japim përgjigjen e parë kësaj paaftësie të dyfishtë.