Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku: Jemi vullnetarë që verifikimi i pasurisë së pajustifikueshme të nis nga LDK-ja

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në diskutimin rreth projektligjit për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ka thënë se LDK janë vullnetarë që verifikimi të nis nga LDK-ja.

“Unë fillimisht si kryetar i LDK-së e ofrojë veten vullnetar për verifikim të pasurisë e bashkë me mua i gjithë grupi parlamentar i LDK-së. I gjithë grupi, unë dhe çdo zyrtarë tjetër ofrohemi vullnetarë që ky verifikim të fillojë nga ne”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai tha se e mbështet këtë koncept dhe se ata që kanë krijuar një pasuri të tillë të mbahen përgjegjës dhe ta kthejnë atë pasuri.

“Këtë fjalë po e nisi duke i dhënë mbështetje konceptit të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme dhe nevojën e krijimit të një trupe që ekzekuton këtë koncept.  Ne besojmë që të gjithë individët që kanë krijuar këtë pasuri padrejtësisht në kurriz të interesit publik duhet të mbahen përgjegjës dhe të tillët duhet t’a kthejnë këtë pasuri”, ka thënë Abdixhiku.

Ai po ashtu tha se krimi në Kosovë është i lirë dhe se duhet të bëhet i kushtueshëm.

“Krimi në Kosovë është i lirë, ky krim duhet të bëhet i kushtueshëm. Prandaj konfiskimi ka për qëllim ta bëjë këtë krim përveç të dënueshëm dhe të kushtueshëm. Kështu parandalohet edhe krimi i ardhshëm jo vetëm ai i kaluari“, tha Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së gjithashtu ka dhënë edhe kritikat e tij në lidhje me këtë projektligj duke e vënë në theks se Byroja sipas projektligjit udhëhiqet vetëm nga një drejtor duke kërkuar që të mos jetë vetëm një njeri, por një grup.

“Byroja në draftin e prezantuar tek në udhëhiqet nga një drejtor. Ky drejtor ka më shumë kompetenca se i gjithë sistemi juridik në vend. Kaq shumë fuqi të vendoset tek një njeri nuk e parasheh Kushtetuta as kur flet për rolin dhe përgjegjësinë e kryeministrit”, ka theksuar Abdixhiku.

“Kërkojmë që të mos jetë një njeri, të jetë një grup. Vendimet janë kolegjiale dhe jo individuale. Edhe më pak fillon problemi kryesor kur ky individ zgjidhet me shumicë të thjeshtë nga parlamenti. Një njeri që të zgjidhet nga shumica politike nuk ka se si të mos jetë politik”, shtoi ai.

Ndër të tjera, Abdixhiku kërkoi që ky ligj të dërgohet tek Komisioni i Venecias për të kërkuar mendimin e tyre rreth tij.

“Kjo Byro për mendimin tonë në formën që është paraqitur as nuk është e pa varur e as nuk ka qëllim të jetë e pa varur dhe në këtë pikë ne kërkojmë një gjë, që ky ligj të dërgohet në Komisionin e Venecias. Nëse jeni të bindur që forma që po e propozoni është demokratike, kërkoni mendimin e Komisionit të Venecias”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku po ashtu tha se duhet hequr dorë nga mundësitë që ky ligj të ndikohet politikisht dhe ka ftuar të gjithë që sipas tij të bëjnë një ligj si duhet.

“Hiqni dorë nga çdo mundësi që të ndikohet ky ligj politikisht, sot nga ju, nesër nga ne. S’do të duhej të donit të ishit në asnjërën anë. E do të jeni në të dyja anët , këtë ua garantoj, hiqni dhe çdo mundësi që ky ligj të rrëzohet në Gjykatën Kushtetuese. Do të rrëzohet kështu siç e keni paraparë ju. Ky s’duhet të jetë qëllim i juaj sot. S’fitoni me të gjë”, tha ai.

“Le të bëjmë një ligj si duhet. Le të jetë një institucion që na bënë krenarë të gjithëve. Le t’i japim një goditje të njëmendtë e të vërtetë krimit”, shtoi Abdixhiku.