Foto: KALLXO.com

A dështoi zinxhiri institucional ta mbronte nga vrasja Lirije Qerimajn?

Ditë më parë, një grua, nënë e tre fëmijëve, Lirije Qerimaj, u vra ndërsa dorasi dyshohet se është burri i saj Skender Qerimaj, i cili që nga ajo ditë gjendet në paraburgim.

KALLXO.com po atë ditë nisi të publikojë rrethanat e rastit dhe trajtimin e institucioneve të raportimit të djalit të Lirije dhe Skender Qerimajt, se ky i fundit kishte ushtruar dhunë psikike ndaj tashmë viktimës.

Detaje të rastit zbardhën neglizhencën që kishte ndodhur nga institucionet që kishin pranuar raportimin më 1 janar.

Labinot Leposhtica, nga Zyra Ligjore në Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) tregoi gjetjet e KALLXO.com gjatë raportimit të këtij rasti tragjik që kishte ndodhur në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Gruaja ishte marrë në pyetje nga Policia në Skenderaj pesë ditë para se të vritej. Rastin fillimisht e kishte lajmëruar djali i saj i cili kishte thënë se nëna e tij, Lirija, kishte pasur dhunë psikike nga babai apo Skender Qerimaj.

Gjatë dhënies së deklaratës para Policisë, Lirije Qerimaj kishte kërkuar nga shteti urdhër mbrojtje.

“Krejt hallka institucionale nuk ka funksionu, nuk dua ta ekzagjeroj por që nga dita kur është raportuar janë bërë të qarta indikacionet, është bërë e qartë dhuna paraprake e ushtruar nga bashkëshorti, qoftë psikike, qoftë fizike që e ka pranu edhe burri, janë plotësuar elementet e një dhune sistematike, viktima ka kërku mbrojtje dhe nuk i është ofru edhe si shfajësim përmenden festat zyrtare dhe zhvendosja e festave në të hënën e të martën është vendosur që të pritet pesë ditë për me ia ofru urdhrin e mbrojtjes një grua të cilën e ka kërku”, tha Leposhtica.

Leposhtica shtoi se të dyshuarit në këtë rast, burrit të Lirije Qerimajt, Skender Qerimajt, i është dhënë hapësirë të kryejë vrasjen tragjike të gruas së tij.

Kjo pasi që Skender Qerimaj ishte intervistuar nga organet e rendit dhe për të njëjtën çështje ishte njoftuar edhe prokurorja kujdestare Stojanka Kosaloviq.

Kjo e fundit kishte urdhëruar Policinë që të njëjtin ta lirojë në procedurë të rregullt ndërsa rasti ishte cilësuar si dhunë në familje.

“Në rastin konkret, kur është raportu dhuna, pesë ditë para se të ndodhte vrasja, janë shfaqur elemente që konsideroj që përmbushin kushtet për caktimin e paraburgimit sepse edhe nga vetë kryesi është konstatu në një farë forme që ka ushtru dhunë edhe më përpara, ekziston rreziku që ai me përsërit, madje gruaja ka tentu me shpërfaqë që ai mund të mos jetë mirë në gjendjen mendore”, tregon tutje Leposhtica.

Sipas këtij të fundit, gruaja është lënë në një shtëpi me të dyshuarin i cili dyshohet se kreu vrasjen më 5 janar dhe se të njëjtës nuk i është ofruar që të qëndrojë në një strehimore për shkak të dhunës psikike që kishte pasur.

“Prokuroria as nuk ka marrë ndonjë veprim me konstatu gjendjen mendore të të dyshuarit, as ndonjë vendim për me i siguru strehim viktimës”, tregon Leposhtica.

Sipas të njëjtit, zyrtarët policorë në Skenderaj nuk kanë arvlerësu rrezikshmërinë në rast.

“Nuk e di kush është zyrtari konkret që ka vlerësu që situata nuk është emergjente, përkundër që të gjitha indikacionet e mundshme që kjo situatë të agravojë dhe të kalojë në fatalitet i ka pasur para vetes. Thjesht janë nënvlerësuar situatat dhe kjo është dëshmu fatkeqësisht që ka rezultu me një vrasje”, përfundon Leposhtica.

Ramadan Ahmeti, major në Policinë e Kosovës, thotë se kanë njerëz të trajnuar brenda institucionit që merren me këto raste.

“Ne si polici i kemi mekanizmat i kemi njerëzit e trajnuar, që nuk guxon ashtu me ndodh që nëse një person m’i thënë policia: Shko se nuk është rrezik!,  e që viktima tregon që është duke u kanosur me jetë”, tha Ahmeti.

Ai jep shpjegimin e tij në lidhje me ngjarjen tragjike në Skenderaj.

“Nga raportet që kemi pranuar, Policia iu ka përgjigjur thirrjes më 1 janar që e ka lajmëru djali i tyre. Ka shku Policia te shtëpia e tyre. I ka marrë i ka sjellë në stacion, viktimën, djalin e saj dhe të dyshuarin dhe është njoftuar edhe prokurori për gjithë këtë. Viktima nuk ka thënë se është e kërcënuar me jetë, viktima ka thënë që personi në fjalë po dyshon në veprimet e mia se unë jam duke e tradhtuar që ka mëndu ai dhe viktima thotë që ka probleme psikike jo fizike dhe burri ka probleme mendore”, shton tutje Ahmeti.

Sipas Ahmetit, kur është raportuar rasti janë njoftuar edhe përfaqësues të institucioneve të tjera që trajtojnë rastet e ngjashme.

“Është thirrë përfaqësuesi i QPS, mbrojtësi i viktimave dhe ka thënë që për këtë rast do të bëjë kërkesë për urdhër mbrojtës. Ky i QPS-së nuk e di çka ka deklaru po ka qenë prezent në bazë të asaj që e kam parë në raport të Policisë”, shton Ahmeti.

Ahmeti potencon se nuk kanë pasur ndonjë indikacion që është rrezikuar viktima me jetë.

“Nuk është çështja që është diskutu që ky person nuk ka nevojë me shku në psikiatri por në aspektin e rrezikut të viktimës nga kanosja direkte për jetë nuk është dokumentu as në deklaratë të djalit të saj dhe as të viktimës”, vazhdon Ahmeti.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për ngjarjen e cila ndodhi më 5 janar në fshatin Llaushë të Skenderajt.

Policia kishte njoftuar prokurorin kujdestar për një dhunë në familje, rast i cili më pas ka shkuar në procedurë të rregullt. Viktima, i dyshuari dhe djali i tyre janë kthyer në të njëjtën shtëpi ndërsa katër ditë më pas, Lirije Qerimaj u vra ndërsa kërkesa për urdhër mbrojtje që e kishte kërkuar ishte bërë pikërisht atë ditë.

Lirije Qerimaj u vra para se të marrë urdhrin mbrojtjes ndërsa institucionet e përfshira në këtë rast nuk kanë pranuar deri më tani përgjegjësi se ku ngeci rasti.

Hetime është duke kryer edhe Inspektorati Policor i Kosovës për të parë nëse ka pasur lëshime nga ana e zyrtarëve policorë.

Ngjashëm janë duke vepruar edhe Prokuroria e Mitrovicës dhe Zyra për Mbrojtjen e Viktimave.