9 organizatat kundër rritje së çmimit të rrymës, Foto: BGF/Facebook

9 organizata kundërshtojnë shtrenjtimin e paralajmëruar të rrymës

Një grup i organizatave të shoqërisë civile ka dorëzuar një deklaratë kundërshtuese ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për shtrenjtimin e energjisë elektrike për 15%.

Sipas deklaratës së këtyre organizatave, e publikuar nga organizata ‘Balkan Green Foundation’, zbatimi i një rritjeje prej 15% të tarifave të energjisë elektrike do të rëndojë më tej barrën financiare të familjeve dhe qytetarëve në Kosovë.

Përmes kësaj deklarate, 9 organizatat: Balkan Green Foundation, Lëvizja FOL, Open Daga Kosovo, GERMIN, Kosovo Local Government Institute, The Foundation House, Qendra për raste gjyqësore strategjike, Hajde Foundation dhe Instituti për politike sociale ‘Musine Kokalari’ i kanë bërë thirrje ZRRE-së që të pezullojë rritjen e propozuar të çmimit të energjisë.

“Një rritje e tillë do të rritë tutje rrezikun për varfëri energjetike. Për më tepër, bizneset veçanërisht ato prodhuese do të përballen me rritje të ndjeshme të kostove operative. Kjo do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, duke ulur konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve vendore dhe potencialisht duke sjellë humbje të vendeve të punës” – thuhet në deklaratën e organizatave të shoqërisë civile.

Sipas tyre, çmimet e energjisë historikisht janë rregulluar në rritje si përgjigje ndaj kushteve të tregut dhe kostove të importeve.

“Ka shumë pak raste të uljes së çmimeve kur përmirësohen kushtet e tregut. Zbatimi i një strategjie të balancuar të çmimeve përfshin mekanizma për uljen e çmimeve kur kushtet e tregut e lejojnë, do të sigurojë drejtësi dhe besim te konsumatorët” – kanë deklaruar këto organizata.

Kurse, krahasimin e çmimeve që po bëhet me shtetet e tjera, organizatat e konsiderojnë “të gabuar” dhe se kjo shihet përmes prizmit të fuqisë blerëse. Si rrjedhojë, ato kanë përmendur prodhimin e brendshëm bruto për banorët e Kosovës në vitin 2024, i cili thonë se është më pak se gjysma e mesatares së BE-së.

“Kjo do të thotë se, në terma relativë, qytetarët e Kosovës paguajnë shumë më tepër për energji elektrike sesa qytetarët evropianë, pasi faturat e energjisë përbëjnë një pjesë shumë më të madhe të të ardhurave të tyre. Prandaj, rritja e tarifave në një kontekt kaq të vështirë ekonomik është jo vetëm e pajustifikuar, por thellësisht regresive” – kanë theksuar organizatat që kundërshtojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Këto organizata e përmendin edhe privatizimin e Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS) në vitin 2013, i cili thonë se është shoqëruar me primtime për investime të mëdha për përmirësimin e rrjetit dhe efikasitetit.

“Shumica e këtyre premtimeve nuk janë përmbushur, me probleme infrastrukturore dhe ndërprerje të shpeshta që vazhdojnë të prekin konsumatorët. Është e padrejtë që qytetarët të përballen me rritje çmimesh në mungesa të përmirësimeve konkrete” – kanë thënë organizatat.

Tutje, organizatat vlerësojnë se ZRRE ka mandat të mbrojë interesat e konsumatorëve dhe të sigurojë çmime të drejta në sektorin e energjisë. E sipas tyre, rritjet e shpeshta të tarifave sidomos kur mungojnë përmirësimet në shërbim, e minojnë besimin e qytetarëve në institucione rregullative.

Përveç thirrjes së tyre për pezullim të rritjes së çmimit të energjisë elektrike, organizatat i kanë kërkuar ZRRE-së të nisë një rishikim të gjithanshëm të faktorëve që ndikojnë në vështirësitë financiare të sektorit energjetik.

“Ky rishikim duhet të përfshijë: auditim të investimeve dhe shpenzimeve të KEDS-it që nga privatizimi; publikimin e plotë të pasqyrave financiare të audituara të KEDS-it për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie; vlerësim të zgjidhjeve alternative për tejkalimin e mungesës financiare, pa rritur tarifat; angazhim institucional e sistemik në arritjen e kontratave afatgjata për importim të qëndrueshëm e të përballueshëm të energjisë elektrike” – i kanë propozuar ZRRE-së organizatat.

“Rritja e çmimeve të energjisë nuk duhet të jetë një zgjidhje e parë, por një masë e fundit pas shterimit të të gjitha mundësive për menaxhim më efikas. Rritja e propozuar prej 15% e çmimit të energjisë elektrike do të ketë pasoja të rënda për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës” – kanë shtuar organizatat.

Në anën tjetër, gjatë ditës, edhe Presidenca e Kosovës e ka kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend, duke theksuar se ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon ZRRE-në të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend. 

Presidenca ka dalë me një varg vërejtjesh dhe masave të menjëhershme që duhet të ndërmerren për të parandaluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, pasi që ka analizuar raportet konsultative për përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka dorëzuar komentet e saj tek ZRRE.

Masat i ka ndarë në të menjëhershme, afatmesme dhe afatgjata.

Masat e menjërshme që janë propozuar nga Presidenca janë mirëmenaxhimi i shpenzimeve dhe humbjeve, subvencioni i energjisë, identifikimi i masave shtesë për obligimin e pagesës së faturave mujore në katër komunat veriore, largimi ose reduktimi i përkohshëm i TVSH-së për energjinë elektrike dhe diizajnimi dhe prezantimi i programit të shtyrjes së pagesave.

Sipas Presidencës, ZRRE-ja duhet të insistojë për një dialog me Qeverinë për ta shqyrtuar mundësinë e subvencionimit të energjisë për konsumatorët, veçanërisht për ata që janë më të prekur nga rritja e çmimeve. 

Kurse për masën e dytë, Presidenca ka ardhur në përfundim se largimi i TVSH-së do të kontribuonte në menaxhimin e situatës dhe do të ndihmonte në shmangien e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. 

“Nëse largimi i plotë i TVSH-së për një periudhë të caktuar do të ishte sfiudes, mund të shqyrtohet reduktimi i TVSH-së për një periudhë të caktuar”- thuhet në propozim. 

Masat afatmesme janë: menaxhimi efikas i KEK-ut dhe planifikimi i burimeve energjetike,  rritja e efikasitetit të furnizimit me energji dhe vazhdimi i programeve të efiçiencës së energjisë për konsumatorët.

Kurse, masat afatgjata janë ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike në vend dhe marrëveshjet për tregtinë ndërkufitare të energjisë me shtete aleate.

“Presidenca inkurajon ZRrE-në që t’i trajtojë me seriozitet këto komente, komentet e qytetarëve dhe organizatave të cilat merren me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit, përpara se të marrë një vendim përfundimtar”- thuhet në fund të propozimeve.

Në vazhdë të një rritjeje potenciale, sipas Presidencës, rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend. 

“Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave duke u fokusuar poashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale”- shkruan në vërejtjet e Presidencës.

Sipas Presidencës, në këtë moment, një vendim i mundshëm nga Rregullatori për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët do të ishte në kundërshtim edhe me kornizën ligjore, e cila obligon ZRRE-në që ta sigurojë mbrojtjen e konsumatorit, përkatësisht neni 1, Ligji për Rregullatorin e Energjisë.

Megjithëse synimi është që të rritet siguria dhe furnizimi me energji gjatë vitit 2025, në përputhje me nevojat energjetike të vendit, Presidenca thotë se rritja e çmimit të energjisë elektrike po parashihet të bëhet në një periudhë kohore kur veçse po ballafaqohemi me çmime të larta të produkteve në treg. 

“Ky veprim do të mund të shkaktonte një valë të re të inflacioni në vend, si dhe të ndikonte drejtpërdrejt në rënien e fuqisë blerëse të qytetarëve”- shkruan në vërejtjet e Presidencës, duke shtuar se rritja e çmimit të energjisë ka një efekt të drejtpërdrejtë dhe shumë të rëndësishëm nëekonominë e një vendi.

Presidenca ngrit shqetësimin se çmimi i energjisë është i lidhur ngushtë me inflacionin, si dhe me koston e jetesës dhe se një rritje e tillë e çmimit të energjisë do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të qytetarëve, duke rritur barrën e tyre financiare.

“Kjo do të përfshinte edhe rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve të tjera thelbësore”- deklaron Presidenca.

Presidenca thotë se ndërsa disa mund të argumentojnë se Kosova ka çmimin më të lirë të energjisë në rajon, ky qëndrim do të ishte i saktë vetëm nëse analizohet në një kontekst të izoluar dhe se për një vlerësim real të kostos së energjisë, duhet të merret parasysh fuqia blerëse e qytetarëve, të ardhurat mesatare dhe Bruto Produkti Vendor për kokë banori.

“Pas rritjes prej 15%, Kosova do të ketë një nga kostot më të larta të energjisë, jo vetëm në rajon, por edhe përtej. Po ashtu, paga mesatare në Kosovë është shumë më e ulët krahasuar me vendet e tjera të Europës, duke bërë që rritja e çmimit të energjsë”- shkruan tutje.

Si përfundim, Presidenca ka rekomanduar që përpara se të miratohet rritja e çmimit të energjisë elektrike, ZRRE-ja duhet të angazhohet në monitorimin e menaxhimit të energjisë nga KEK-u dhe ta rrisë efikasitetin në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë, duke kontribuar në uljen e nevojës për import dhe në menaxhimin më të mirë të burimeve. 

Sipas Presidencës, rritja e çmimit të energjisë nuk duhet të jetë opsioni i parë dhe i vetëm për të adresuar sfidat financiare, por një zgjidhje më e balancuar dhe e qëndrueshme duhet të jetë në qendër të këtij procesi.

“Kallxo Përnime” ka raportuar më 14.03.2025 se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) kishte  propozuar rritje të çmimit të energjisë elektrike për rreth 15%. Shtrenjtimi i rrymës pritet të ndodhë nga muaji prill i këtij viti.

Më poshtë mund ta ndiqni hulumtimin e plotë në lidhje me çmimin e rrymës:

 

Si pasojë e diskutimeve për mundësinë e shtrenjtimit të rrymës, aktivistë të nismës “Asnjë cent më shumë” e kanë gjujtur me torte kryetarin e bordit të ZRRE, Ymer Fejzullahu, më 27.03.2025, në Prishtinë.

Torta mbante mbishkrimin “15%”.

Video është publikuar në faqen e Facebookut “KEDS t’i kthehet Kosovës”.