Më 5 nëntor të vitit 2016, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Që nga ajo kohë hetimi i vdekjes së tij kishte marrë kahje të ndryshme përderisa ishin kërkuar ekspertiza të shumta vendore e ndërkombëtare.
Ajo që i kishte rritur edhe më shumë misteret e vdekjes së Astrit Deharit ishte ekspertiza e vitit 2019 e cila nuk e kishte përjashtuar mundësinë e vrasjes.
Për të shuar mëdyshje të tjera në këtë rast ishte urdhëruar edhe një ekspertizë e re.
Në lidhje më këtë ekspertizë, PSRK me anë të një njoftimi dha shkurtimisht detaje për konstatimet e ekspertizës të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.
Sipas Prokurorisë, ky institut ka konstatuar se analizat e objekteve që kanë qenë në kontakt me Astrit Deharin nuk kanë treguar ADN të tjera përpos të të ndjerit.
“Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë.
Përpos ADN-së, prokuroria njoftoi opinionin se në analizat toksikologjike nuk ka prani të etanolit.
“Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeinës dhe mosprani të etanolit” – thuhej tutje në njoftim.
Në muajin shtator, Ylber Topalli është pezulluar nga puna e kryeinspektoratit të Inspektoratit lidhur me rastin e Astrit Deharit. Pezullimi nga Komisioni Disiplinor ka ardhur mbi bazën e gjetjeve në Raportin e Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë.