Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Kurti e anëtarë të tjerë të Vetëvendosjes dhurojnë gjak në kujtim të Astrit Deharit

Kryeministri Albin Kurti, anëtarë e aktivistë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë dhuruar gjak për të nderuar kujtimin për Astrit Deharin, në përvjetorin e 8-të të vdekjes së tij.

“Shumë aktivistë të Lëvizjes, studentë dhe qytetarë u mblodhën në zyrat e Lëvizjes për të dhuruar gjak” – thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në mesin e dhuruesve ishin edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Ky aktivitet shërbeu si homazh për Astritin dhe si një thirrje për të vazhduar veprat e mira që lënë gjurmë të rëndësishme në shoqëri” – thotë LVV.

Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut i ka dhuruar mirënjohje Lëvizjes Vetëvendosje për promovimin dhe organizimin e dhurimit vullnetar të gjakut.

Astrit Dehari ka vdekur më 05.11.2016, në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.

LVV në atë kohë tha se vdekja e Astrit Deharit ishte përgjegjësi institucionale. Dyshime rreth vdekjes së Astrit Deharit pati edhe familja e tij.

Rrethanat e vdekjes së tij nuk janë zbardhur ende plotësisht.