Konferenca dhe aktiviteti i Vetëvendosjes para Prokurorisë Speciale. 12.08.2024. Foto:KALLXO.com

Deklaratat për rastin Dehari, Sami Kurteshi ftohet për intervistim nga Prokuroria Speciale

Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, është ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar rreth deklaratave që i ka dhënë në lidhje me rastin e Astrit Deharit.

Kurteshi tha se më datë 16.08. 2024, me autorizimin e prokurorit special Bekim Kodraliu, ka pranuar thirrje nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda për marrje në pyetje.

Intervistimi, sipas tij, do të bëhet nesër, më 20.08.2024.

Ftesa sipas Kurteshit ka të bëjë në lidhje me deklaratat e bëra në konferencën për media me rastin e pensionimit të Afrim Shefkiut, i ngarkuar me rastin e Astrit Deharit, të mbajtur para Prokurorisë Speciale.

“Pas marrjes në pyetje të Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu nga Prokuroria Speciale si dëshmitare për rastin, pas deklarimit publik në rrjetet sociale, në lidhje me rastin A. Dehari, po për deklarimin publik në konferencë për media për rastin Dehari, më thirr për marrje në pyetje edhe mua” – tha Kurteshi.

Kjo sjellje e prokurorisë, sipas tij, në thelb nxjerr dy pyetje thelbore: A po rifillon hetimi i njëmendtë i rastit A. Dehari nga Prokuroria Speciale dhe a po bëhet përpjekje e njëmendtë për humbje të gjurmëve të vrasjes së Astritit?

I njëjti tha se sidoqoftë drejtësia për Astritin do të arrijë dhe se koha vonon, por e drejta nuk shuhet.

Lëvizja Vetëvendosje më 12.08.2024 pretendoi se aktivisti i saj, Astrit Dehari, është vrarë me urdhër politik; se në këtë rast po vendosen si prokurorë vetëm ata që janë afër pensionimit në mënyrë që të zvarritet procesi; dhe se në inskenimin e rastit Dehari janë përfshirë të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, përmes një konference, më 12.08.2024, ka vrasja e Deharit është inskenuar me urdhër nga “maja e shtetit”, duke përkujtuar se në atë kohë president ka qenë Hashim Thaçi, ndërsa kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli.

Konferenca, dëshmitë për rastin Dehari dhe pankartat kundër prokurorëve u vendosën para Prokurorisë Speciale. Të pranishëm ishin prindërit e Astrit Deharit, bashkëshortja e tij dhe avokati Tomë Gashi.

Rasti Dehari sërish nën llupë, Vetëvendosje akuzon se aktivisti i saj u vra me ‘urdhër politik’