Konferenca dhe aktiviteti i Vetëvendosjes para Prokurorisë Speciale. 12.08.2024. Foto:KALLXO.com

Rasti Dehari sërish nën llupë, Vetëvendosje akuzon se aktivisti i saj u vra me ‘urdhër politik’

Lëvizja Vetëvendosje pretendon se aktivisti i saj, Astrit Dehari, është vrarë me urdhër politik; se në këtë rast po vendosen si prokurorë vetëm ata që janë afër pensionimit në mënyrë që të zvarritet procesi; dhe se në inskenimin e rastit Dehari janë përfshirë të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, përmes një konference, më 12.08.2024, ka vrasja e Deharit është inskenuar me urdhër nga “maja e shtetit”, duke përkujtuar se në atë kohë president ka qenë Hashim Thaçi, ndërsa kryetar i Kuvendit, Kadri Veseli. 

Konferenca, dëshmitë për rastin Dehari dhe pankartat kundër prokurorëve u vendosën para Prokurorisë Speciale. Të pranishëm ishin prindërit e Astrit Deharit, bashkëshortja e tij dhe avokati Tomë Gashi.

Në mesin e shumë akuzave, Kurteshi ka thënë se të përfshirë në inskenim kanë qenë edhe Shërbimi Korrektues, Policia, Prokuroria dhe AKI-ja. Përveç tyre ka akuzuar për përfshirje ish-ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxha dhe ish-Kryeprokurorin e Prizrenit, Sylë Hoxha, dhe rolin negativ siç konsideron ai, të disa mediave ‘në dezinformimin dhe manipulimin e rastit’.

Për ish-ministren Hoxha, Kurteshi tha se ka qenë “mjet i njëpërdorshëm”.

“Në atë kohë menjëherë pas rastit ne e kemi pasur një fushatë të deklarimeve të zyrtarëve të shumtë rreth rastit, që ishin deklarime kontradiktore të Shërbimit Korrektues, Policisë së Kosovës, Prokurorisë, dhe vetë ish-ministres Dhurata Hoxha”.

“Ajo ministre është zhdukë nga faqja publike. E ka kryer misionin e saj”- shtoi ai.

KALLXO.com është munduar ta marr anën e saj përmes telefonatës dhe mesazheve, por e njëjta nuk është përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Ndaj këtyre deklaratave të Kurteshit ka reaguar, Përparim Gruda, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, duke thënë se diçka e tillë në këtë kohë është e papranueshme dhe e turpshme.

“Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre vjet në pushtet, gjatë të cilëve nuk është bërë asgjë për të zbardhur rastin Dehari, përkundrazi Instituti i Mjekësisë Ligjore është djegur dy herë, sot LVV vendosi të organizojë një konferencë për media para Prokurorisë Speciale, duke kërkuar drejtësi për Astrit Deharin”- ka shkruar Gruda.

Gjatë konferencës, Kurteshi shpërfaqi në mënyrë kronologjike rastin e Deharit, duke e nisur nga 4 gushti 2016 me sulmin me predhë në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, e deri te 8 gushti 2024, datë kjo kur avokati i familjes Dehari, ka dërguar “kërkesë të përsëritur për raport të detajuar lidhur me hetimet në rastin e vrasjes së Astrit Deharit”.

Ai tha se sulmi në Kuvendin e Kosovës dhe arrestimi i aktivistëve të Vetëvendosjes, ishte gjeneza e këtij rasti, pasiqë sipas tij, u inskenua sulmi i armatosur mbi ndërtesën e Kuvendit, duke fshehur autorët e vërtetë dhe fajësimin e LVV-së për qëllime të caktuara politike.

Më 27.12.2024, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktgjykimin lirues të shkallës së parë për Frashër Krasniqin, Adea Batushën, Egzon Halitin dhe Atdhe Arifin, të akuzuar për sulmin terrorist në Kuvendin e Kosovës në gusht të vitit 2016.

Edhe pse kanë kaluar shumë vite, Kurteshi tha se ende janë në pritje të një raporti të detajuar në lidhje me rastin Dehari.

“7 vjet, 6 muaj e 17 ditë është marrë si rast nga Prokuroria Speciale për vrasjen  e Astrit Deharit”- tha Kurteshi, duke thënë se prokurorët e rastit nuk kanë bërë asgjë dhe se kanë qenë vetëm vegla politike.

Vegla politike i konsideroi pesë prokurorët e rastit: Abdurrahim Islami (prokuror i rastit të arrestimit), Vehbi Kashtanjeva (gjyqtar i rastit të arrestimit), Sylë Hoxhaj (ish-kryeprokurori i Prizrenit), Metush Biraj (prokuror i rastit Dehari) dhe Afrim Shefkiu (prokuror i rastit Dehari).

Për të gjithë këta prokurorë, Kurteshi tha se dolën në pension pa bërë asgjë për rastin, ndërsa ky i fundit pritet të pensionohet edhe pas dy ditësh.

Sipas tij, strategjia e Prokurorisë është zvarritje e qëllimshme e rastit dhe jepja e rastit e prokurorëve para pensionimit.

“Ky është i pesti që pensionohet. Edhe një prokuror shkon në pension dhe rasti nuk përfundohet. E ka bërë një veprim, vetëm e ka marr në pyetje Albulena Haxhiu për postimet në Facebook”- tha Kurteshi.

Metush Biraj dhe Sylë Hoxha, sipas tij, tash punojnë si avokatë të pensionuar në Prizren, ndërsa Vehbi Kashtanjeva dhe Abdurrahim Islami punojnë avokatë të pensionuar në Ferizaj.

Ai tha se me urdhër politik kanë qenë të përfshirë Prokuroria Speciale, AKI-ja, Gjyqësori, dhe disa media që sipas tij i publikuan incizimet e pautorizuara.

“Sylë Hoxha ka dorë në krejt rastin e vrasjes së Astrit Deharit. Ai ende është i lirë dhe punon në sistemin e drejtësisë”- tha Kurteshi.

KALLXO.com ka telefonuar Sylë Hoxhën në lidhje me këto deklarime. Ai i ka mohuar akuzat e Kurteshit duke thënë se nuk befasohet nga deklarimet e tij.

“Unë nuk kam qenë prokuror i rastit Dehari. Krejt çka kam marrë veprime kanë qenë si Kryeprokuror. Ndaj Sami Kurteshit unë edhe kam dorëzuar padi për shpifje para dy vitesh për akuzat e tij”- tha Hoxha.

Kurteshi hodhi akuza edhe ndaj disa mediave, që sipas tij kanë luajtur rol negativ dhe dezinformues në rastin Dehari.

“Rol negativ dhe dezinformues ka pas edhe në media, sidomos nxjerrja e incizimeve te pautorizuara dhe të manipuluara para Prokurorisë, Express dhe Klan Kosova, ndërsa RTK-ja ka mbuluar propagandën atëkohë”- tha Kurteshi.

KALLXO.com ka kontaktuar palët në lidhje me këto akuza ndaj tyre.

Leonard Kërquki,  kryeredaktor i Gazetës Express dhe autor i emisionit ‘Pressing’, tha se pa dashur të ndërlidhet me deklarimet dhe as me motivet e konferencës së sotshme të zyrtareve të VV-së për rastin Dehari, Gazeta Express në atë kohë i ka publikuar pamjet e kamerave të  sigurise së burgut të Prizrenit e shtyrë nga interesi publik për këtë rast tragjik. 

“Njëjtë sikurse – muaj më pas – e kemi publikuar të plotë edhe raportin e autopsisë së Institutit Zvicran në emisionin ‘Pressing’, e ku të pranishëm kanë qenë prindërit e Astrit Deharit dhe avokati i tyre, Tomë Gashi”- tha Kërquki në një bisedë për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Klan Kosovën përmes telefonit dhe emailit, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka quajtur “të turpshme dhe kriminale” mospërmendjen se gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje, kanë humbur mostrat e Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore, e as djegia e këtij instituti. 

“Në konferencën që sapo përfundoi Vetëvendosje nuk u tha asnjë fjalë për humbjen e mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore që është nën menaxhimin e Ministrisë së Drejtësisë. Asnjë fjalë për djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore”, ka shkruar ajo.

Më 8 dhjetor 2022 ishte dhënë lajmi se janë zhdukur provat e rastit të vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte thënë që kanë qenë 15 epruveta me gjak, një e urinës dhe një epruvetë e lukthit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishte thënë për KALLXO.com që kanë filluar hetimet rreth zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Më 5 nëntor të vitit 2016, në orët e para të mbrëmjes u raportua për vdekjen e një personi brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Vetëm pak minuta më pas u raportua se brenda qelisë së tij ishte gjetur i vdekur aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari, i cili aty po qëndronte nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti me granatahedhës në Kuvendin e Kosovës.

Deklarata e parë nga Policia e Kosovës në atë kohë ishte se Dehari kishte vdekur si pasojë e medikamenteve.

Këtë deklaratë e kishte thënë për KALLXO.com ish-drejtori i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, i cili për një kohë të gjatë kishte mohuar se kishte dhënë këtë deklaratë.

Vdekja e Astrit Deharit, menjëherë u cilësua si e dyshimtë, ndërsa u kërkua që ndaj tij të bëhej edhe autopsia nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Ish-kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, i cili tash është në pension, pesë vite më parë kishte thënë se Astrit Dehari kishte pasur shenja në qafë.

“E kam pa trupin e viktimës, ka gërvishtje në qafë e në duar (por jo gjak). Kemi informata se ka përdorë medikamente, mirëpo asgjë në shumë nuk mund të themi për momentin. Jemi në pritje të ekipeve të mjekësisë ligjore për detaje më të sigurta”, kishte thënë Hoxha në një prononcim për KALLXO.com në atë kohë.

Në ditën kritike, menjëherë u njoftua edhe se Ministria e Drejtësisë në atë kohë e udhëhequr nga ish-ministrja e Drejtësisë Dhurata Hoxha, se kishin filluar hetimet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit.

Një ditë ma pas, Lëvizja Vetëvendosje kishte mbajtur një konferencë, në të cilën Visar Ymeri kishte thënë se Dehari po mbahej në paraburgim për një rast të montuar sipas tij.

Astrit Dehari kishte vdekur në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.

LVV në atë kohë tha se vdekja e Astrit Deharit ishte përgjegjësi institucionale. Dyshime rreth vdekjes së Astrit Deharit pati edhe familja e tij.

Më datë 7 nëntor të vitit 2016, u krye edhe autopsia e trupit të Astrit Deharit ndërsa, Sylë Hoxha atë kohë kishte dalë me deklaratë se ish-aktivisti i LVV-së kishte vdekur si pasojë e asfiksisë apo problemeve me frymarrjen.

Por, më 24.10.2019 Instituti i Mjekësisë Ligjore i Lozanës në Zvicër në ekspertizën mbi vdekjen e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren, ka dhënë komentet se pse vdekja e Deharit ka pak mundësi të jetë vetëvrasje.

“Në rastin e z.Dehari, nëse e pranojmë hipotezën e vetëvrasjes, të dy metodat do të ishin përdorur në mënyrë sekuenciale, e para ka të bëjë me përdorimin e një objekti të mprehtë në pjesën e qafës dhe të kyçit të majtë dhe e dyta ka të bëjë me ngufatjen e llojit smithering me një shishe të plastikës. Megjithatë kjo hipotezë duket pak e mundshme për arsyet e më poshtme”, thuhet në raportin e Institutit zviceran.

Hipotezën e vetëvrasjes në rastin e Deharit, Instituti e ka vlerësuar si pak të mundshme për tri arsye të ndryshme.

“Së pari, lëndimet cervikale dhe të kyçit ishin shumë sipërfaqësore, që nuk tregonin përcaktime të vërteta të aktit vetëvrasës, e dyta, teoria e vetëvrasjes komplekse të paplanifikuara që ka dëshiruar z.Dehari, duke parë këtë tentativë të pasuksesshme, e zgjedh metodën e dytë të vetëvrasjes më vdekjeprurëse, çfarë nuk ishte rasti, si e tretë, kjo lloj vetëvrasje kryesisht haset tek pacientët psikiatrikë pra që z.Dehari nuk paraqiste asnjë paraardhje psikiatrike dhe nuk paraqiste shenja të depresionit”, shkruan në raportin i Institutit zviceran mbi vdekjen e Deharit.