Foto: A2CNN

5 mijë raketa mbi Izrael, nis kundërpërgjigjja e ashpër, ministri i Mbrojtjes: Ne do ta fitojmë luftën

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit thotë se Hamasi ka nisur një luftë kundër Izraelit. Në një deklaratë Yoav Gallant tha se Hamasi ka bërë një gabim të rëndë këtë mëngjes dhe ka nisur një luftë kundër shtetit të Izraelit.

Ai shtoi se trupat e IDF po “luftojnë kundër armikut në çdo vend dhe shteti i Izraelit do ta fitojë këtë luftë”.

Ndërkohë ushtria izraelite ka nisur “Operacionin Shpata të Hekurta” kundër grupit të Hamasit në Rripin e Gazës, në përgjigje të sulmeve nga territori.

Një grua ka humbur jetën dhe 100 persona janë plagosur në të gjithë Izraelin në sulmet militante të së shtunës nga Gaza, sipas shifrave nga dy spitale.

Ambasadori izraelit në SHBA i bën thirrje “botës së lirë të dënojë pa mëdyshje” sulmet e Hamasit dhe të mbështesë “të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje”.

“Kjo ofensivë filloi ndërsa izraelitët po festonin një festë fetare hebreje,” tha Michael Herzog në platformën e mediave sociale X.

Ambasada e SHBA-së në Izrael thotë se po “monitoron nga afër” situatën e sigurisë në Izrael pas sulmeve me raketa dhe infiltrimit të luftëtarëve të Hamasit nga Gaza.

“Qytetarëve amerikanë u kujtohet që të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndërmarrin hapat e duhur për të rritur ndërgjegjësimin e tyre për sigurinë pasi incidentet e sigurisë, përfshirë sulmet me mortaja dhe raketa, shpesh ndodhin pa paralajmërim”, thuhet në një deklaratë të ambasadës.

Ai shtoi se personeli i ambasadës amerikane aktualisht po strehohet në vend.

Personeli i qeverisë amerikane vazhdon të ndalohet të udhëtojë në Gaza dhe në zonat brenda shtatë miljeve (11 km) nga Gaza, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë BE është solidarizuar me popullin izraelit. Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel u shpreh se “BE qëndron në solidaritet me popullin izraelit”.

“Dënojmë fuqishëm sulmet pa dallim të nisura kundër Izraelit dhe popullit të tij këtë mëngjes duke shkaktuar terror dhe dhunë ndaj qytetarëve të pafajshëm”, shkroi ai në Twitter./A2CNN