Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 17.04.2024

33 shkolla në veri nuk lejojnë të përdorën si vendvotime më 21 prill

33 drejtorë të shkollave në katër komunat veriore të Kosovës kanë refuzuar ofrimin e objekteve për organizimin e votimit “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të këtyre komunave, që do të mbahet më 21.04.2024.

Kështu tha Burim Ahmetaj, kryesues i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e 25-të që u mbajt më 17.04.2024.

Ahmetaj tregoi se vetëm 10 shkolla janë të qasshme për t’u përdorur si vendvotime.

Arsyetimet e drejtorëve të shkollave, sipas tij kanë qenë se më 21 prill tashmë janë planifikuar aktivitete shkollore, kulturore e të tjera.

Ahmetaj tregoi se lidhur me këtë çështje kanë ftuar në takim kryetarët e komunave, drejtorët e arsimit dhe drejtorët e shkollave, ku këta të fundit nuk kanë marrë pjesë.

“Pas dorëheqjes së anëtarëve të KKZ-së, përfaqësuesve të Listës Serbe, nga data 6 prill e tutje, KKZ nuk ka mundur të komunikojë me disa drejtorë të shkollave. Kemi pasur qasje refuzuese me pretendimin se shkollat nuk do të lejohen për t’u përdorur si qendra të votimit në këto komuna” – tha Ahmetaj.

Në këtë mbledhje u tha se refuzimi i bashkëpunimit nga zyrtarët publikë me Komisionet Komunale Zgjedhore është shkelje e ligjit dhe se ata duhet të ndiqen penalisht.

“KQZ e ka obligim që ta njoftojë prokurorin sipas detyrës zyrtare që të ngreh aktakuza dhe t’i ndjekë penalisht të gjithë ata persona që pengojnë procesin e votimit” – tha anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi.

Sekretariati i KQZ-së, siç tha Ahmetaj, i ka dërguar shkresë edhe Ministrisë së Arsimit lidhur me këtë çështje, por se në përgjigjen që ka marrë prej kësaj ministrie është thënë se shkollat janë kompetencë e komunave.

Sekretariati i KQZ-së tha se po punon intensivisht në gjetjen e lokacioneve alternative që do të shërbejnë për votim dhe po bën maksimumin për hapjen e qendrave të vendvotimeve.

Kryesuesi i Sekretariatit tha se do t’i drejtohen komunave përkatëse, Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për t’i njoftuar për veprimet e drejtorëve të shkollave.

Sami Kurteshi tha se këto janë veprime të administruara nga Lista Serbe dhe Qeveria e Serbisë dhe shtoi se është “shqetësuese sa larg duan të shkojnë”.

“Kemi të bëjmë me zyrtarë publikë që menaxhojnë shkolla, objekte publike të Republikës së Kosovës. Ata janë dhe nuk mundet me qenë ndryshe, qytetarë të Kosovës që janë të obliguar me ligj që t’i hapin ato” – tha ai.

“Paskan planifikuar aktivitete ditën e diel. E dinë 2 muaj përpara që votimi do të mbahet. Lojë shumë e fëlliqur shoviniste” – shtoi Kurteshi.

Anëtari tjetër, Arianit Elshani, po ashtu tha se ky është një bojkot dhe bllokim i një procesi të votimit që duhet të ndiqet penalisht.

Elshani tha se duhet të insistohet që vendvotimet të jenë afër qytetarit, siç ka ndodhur edhe në zgjedhjet e mëparshme.

Për anëtarin, Alban Krasniqi këto përpjekje do të dështojnë dhe procesi nuk do të ndalet.

Edhe sipas tij, kjo është përpjekje e Listës Serbe për të mbajtur peng komunitetin serb. Po, siç ka thënë ai, kjo përpjekje do të dështojë sepse KQZ do t’i kryejë detyrat e saj dhe qytetarët pa dallim etnie do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës.

“Në radhë të parë, (Lista Serbe) përpara se me e luftu edhe vetë shtetësinë e Kosovës, po i lufton interesat e qytetarëve serbë në Kosovë” – deklaroi Krasniqi.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit do të votojnë më 21.04.2024 nëse janë për apo kundër shkarkimit të kryetarëve të komunave përkatëse.

Ky votim vjen pas nënshkrimit të peticioneve për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave në fillim të këtij viti.

Kryetarët shqiptarë në komunat e veriut morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit nuk i pranuar rezultatet e tyre.

Së voni ata pranuan ta shfrytëzojnë opsionin e mbledhjes së nënshkrimeve për t’i rrëzuar kryetarët shqiptarë.

Kjo u arrit falë Udhëzimit Administrativ që u nxor në fillim të shtatorit 2023 nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim që t’i hapte rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.