23 fshatra të Malishevës pa ujësjellës

Njësia e Hidroregjionit jugor në Malishevë, ka këshilluar të gjithë qytetarët që të përdorin ujin e klorinuar nga sistemet e tyre, ndërsa vendbanimet që nuk kanë sistem të ujësjellësit, këshillohen që brenda mundësive të furnizohen me ujë nga fshatrat ku kanë sistem të ujësjellësit.

E nga ana tjetër, zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Artan Paçarizi ka thënë për KALLXO.com se 23 fshatra të komunës së Malishevës nuk kanë sistem të ujësjellësit.

“23 fshatra në komunën e Malishevës nuk kanë sistem të ujësjellësit, shumica prej këtyre fshatrave kanë puse që e përdorin ujin për pije si zakonisht. 21 fshatra janë në sistem të ujësjellësit”, ka thënë Paçarizi për KALLXO.com

Komuna e Malishevës ka njoftuar se deri më tani në Komunën e Malishevës janë duke u zbatuar të gjitha masat parandaluese për coronavirusin.

“Këshilli komunal për zbatimin e masave parandaluese kundër COVID-19, është takuar sot në mëngjes, ku është bërë analizë e situatës së krijuar pas paraqitjes së rastit të parë të infektuar me COVID-19. Bazuar në të dhënat e raportuara, situata është në kontroll dhe janë vetizoluar të gjithë personat e identifikuar që kanë pasur kontakt me personin e infektuar”, thuhet në njoftimin e Komunës së Malishevës.

Po ashtu, edhe Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se është duke u zbatuar vendimi i qeverisë për futjen në karantinë të tërë territorit të Komunës së Malishevës.

“Sa i përket shërbimeve publike, ato janë duke u kryer normalisht, pra furnizimi me ujë në vendbanimet që kanë sistem të ujësjellësit, është duke u bërë normalisht, e po ashtu edhe grumbullimi i mbeturinave po kryhet normalisht”, vazhdon njoftimi.

Në takimin e Këshillit komunal, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, përsëri ju ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shqetësohen, por vetëm t’i zbatojnë masat parandaluese sipas udhëzimeve.

Në Kosovë janë konfirmuar 5 raste me Coronavirus, tri raste në Viti, një në Malishevë dhe një në Klinë. Personat e parë të prekur kishin ardhur nga Italia në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e hyrje daljeve nga tri komunat ku janë shënuar rastet e para me coronavirus ndërsa janë izoluar të gjithë personat të cilët kanë pasur kontakt me personat e prekur me coronavirus.

Si masa parandaluese, Qeveria e Kosovës ka mbyllur të gjitha restorantet, pubet, qendrat tregtare, kafiteritë, ka pezulluar aktivitetet kulturore, ka ndaluar transportit tokësor dhe ndërkombëtar për të gjithë personat që hyjnë në Kosovë, ka ndaluar transportin ndër-urban, etj.

Gjatë ditës së djeshme, BIK-u ka ndaluar faljen e namazit ditor dhe xhumasë në xhami.