Gjykata Supreme e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Rasti i vdekjes së pacientes në Malishevë - Supremja e liron nga paraburgimi doktorin e dyshuar

Gjykata Supreme ditën e djeshme e ka liruar nga paraburgimi të dyshuarin Xh. K. Ai dyshohet lidhur me rastin ku një paciente 35 vjeçare nga Malisheva pas një trajtimi që kishte marrë në një odinancë stomatologjike, kishte vdekur.

Për këtë rast, ishin arrestuar dy persona; XH. K. dhe H. K.

Ndaj tyre ishte caktuar dhe vazhduar  paraburgimi që nga 21 shtatori i këtij viti deri më 20 nëntor, nga Gjykata Themelore e Gjakovës.

Caktimin e paraburgimit e kishte vërtetuar edhe Apeli  më 23 shtator të këtij viti.

Por, avokati i të pandehurit Xh. K., Besnik Berisha, përmes kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë drejtuar Gjykatës Sureme, ka arritur që klienti i tij të lirohet nga paraburgimi dhe i njëjti të mbrohet në liri.

Sipas dosjes së Gjykatës Supreme, të siguruar nga Kallxo.com, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit nuk e kishin arsyetuar sa duhet caktimin e masës së paraburgimit.

“Në rastin konkret gjykatat e niveleve më të ulëta, përpos një parafrazimi të ligjit nuk kanë bërë përpjekje për të dhënë arsyet për bazat ligjore të paraburgimit”- thuhet në dosjen e Supremes.

Ky vendim për lirimin nga paraburgimi është marrë nga kolegji i përbërë nga Mejreme Memaj – kryetare, dhe Valdete Daka e Rasim Rasimi – anëtarë.

Tutje sipas kësaj gjykate, thuhet se nuk janë përmbushur bazat ligjore për vazhdimin e paraburgimit.

Prokuroria kishte kërkuar që kërkesa e avokatit të refuzohej, por gjykata vendosi se kërkesa e Berishës kishte qenë e bazuar.

Xh. K. dyshohet për dy vepra penale dhe atë; trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore.

Ordinanca në të cilën dyshohet se e ndjera kishte marrë trajtimin e pandërgjegjshëm mjekësor ishte mbyllur përkohësisht nga Inspektorati Shëndetësor.

“Një ngjarje e tillë, në rrethana kur një qytetare humb jetën pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor “Doktorat” të cilët kanë ushtruar veprimtari ilegale, është e patolerueshme dhe do të angazhohemi që të ofrojmë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj kryersve të kësaj vepre të rëndë”, thuhej në njoftimin e këtij dikasteri.

Më tej, Ministria e Shëndetësisë kishte njoftuar se janë shqyrtuar edhe raportet e komisionit të licencimit lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni privat.

Çka thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore me të cilin ishte caktuar paraburgimi?

“Për të pandehurën H. K., më datën 22.08.2023, në Ordinancën “D…” në Malishevë, pa kualifikim mjekësor kryen trajtime mjekësore e cila është e regjistruar si Ambulancë Specialistike e Gjinekologjisë në emër të të pandehurës, ndërsa e njëjta ka të kryer shkollimin fillorë, me profesion rrobaqepëse, e ku në ordinancën e cekur më lartë, pas trajtimit mjekësor të dhënë nga vëllai i të pandehurës – i pandehurit Xh. K., ka ndërruar jetë tani e ndjera L. Sh.” – thuhet në vendim.

Tutje është thënë se nga koha e pacaktuar e deri më 22 gusht 2023, me dashje dhe pa autorizim e pandehura ka falsifikuar dokumentin në emër të një institucionit tjetër dhe atë të QKMF-së në Malishevë.

E pandehura dyshohet se si pronare e biznesit “Doktorat”, me rastin e inspektimit në këtë ordinancë i janë gjetur 18 vërtetime për nxënës dhe studentë si dhe 16 udhëzime për konsultim të QKMF-së në Malishevë, të gjitha këto dokumente të zbrazëta mirëpo të vulosura me vulën e QKMF-së, pa autorizim nga institucioni përkatës.

H. K. me këto veprime dyshohet se ka kryer dy vepra penale – ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

Në vendimin e Gjykatës është thënë se i pandehuri Xh. K. më 22 gusht 2023, në ordinancën “Doktorat” në cilësinë e stomatologut gjatë dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor përdor metoda të papërshtatshme të mjekimit.

Viktima është thënë se ka shkuar në ordinancën e cekur më lart për ta hequr një dhëmb, ndërsa aty i pandehuri ka përdorur medikamentet si calcium, lemod-solu, alergosan, e ku pas heqjes së dhëmbit me të dalë pacientja në oborr të ordinancës i keqësohet gjendja dhe e humb vetëdijen.

Ajo është thënë se me të shpejtë është dërguar në QKMF në Malishevë, e ku me pas dyshohet se ka vdekur për shkak të metodave dhe terapisë së përdorur nga ana e të pandehurit.

Në vendim thuhet se i pandehuri po ashtu pa autorizim ligjor ka kryer trajtime mjekësore stomatologjike, në atë mënyrë që si stomatolog ka ushtruar veprimtarinë mjekësore në ordinancën gjinekologjike, pa autorizim ligjor për zhvillimin e veprimtarisë stomatologjike e ku si pasojë e këtyre veprimeve të kundërligjshme mjekësore të marrra nga ana e të pandehurit, pas trajtimit mjekësor të dhënë viktimës, ajo vdes.