Vendosen tabela informuese te Ujëvarat e Mirushës
Organizata për mbrojtjen e mjedisit Ecopana, përfaqësuese e WWF Adria në Kosovë, në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës kanë bërë sot vendosjen e tabelave informuese për rëndësinë e Ujërave të Mirushës.
Këto tabela janë vendosur me qëllim të ndërgjegjësimit të vizitorëve për rëndësinë ekologjike, shkencore e estetike të Ujërave të Mirushës.
Drejtoresha Ekzekutive e kësaj organizate, Krenare Salihu ka thënë se ndërtimi ilegal i pendës në Mirushë gjatë vitit 2011-2013 ka bërë që të ketë dëme për florën dhe faunën.
“Gjatë vitit 2023 kemi bërë studime profesionale rreth lumit Mirusha si një nga degët e majta me të rëndësishme të Drinit të Bardhë, si dhe studime për ndikimin e pendës në biodiversitet dhe mjedis, anën hidrologjike e statike si dhe sigurinë e saj. Jemi në diskutime së bashku me MMPHI-në si dhe me Komunën e Malishevës për të marrë vendimin për zgjidhjen më të mirë të mundshme, në radhë të parë për banorët që jetojnë afër, për faunën ujore që për fat të mirë është mjaft e pasur, si dhe për mjedisin”- ka thënë Salihu.
Rëndësinë e këtyre tabelave e tregon edhe Sami Behrami nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Natyrës.
“Këto tabela kanë rëndësi të veçantë meqë ata që e vizitojnë Mirushën do të njoftohen më mirë për vlerat e ujëvarave dhe potencialin natyror që posedon kjo zonë. Për shkak të këtyre vlerave kjo zonë në vitin 2012 me një vendim të qeverisë është e mbrojtur si Monument i Natyrës me Rëndësi të Veçantë me sipërfaqe prej rreth 600 hektarësh”- ka thënë Behrami.
Ndërsa Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm në Komunën e Malishevës, Avdi Morina ka vënë në pah rëndësinë e kujdesit më të madh të institucioneve lokale dhe qëndrore për mbrojtjen e Ujëvarave të Mirushës.