Specialja arreston ish-kryetarin e Malishevës

Isni Kilaj, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, është arrestuar mbrëmë nga Gjykata Speciale.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati duke shtuar se dje policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e Kilajt.

“Isni Kilaj, dhe të gjithë bartësit e luftës çlirimtare, janë të pafajshëm dhe të gjitha këto veprime të gjykatave, i konsiderojmë si veprime politike, që për qëllim kanë njollosjen e luftës për çlirim. Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Kilaj dhe të krerëve të luftës së UÇK-së dhe kërkojmë të ndërpriten këto veprime të turpshme. Ne besojmë në drejtësi, por drejtësi duhet të ketë për të gjithë. Lufta e UÇK-së, është një luftë e njohur nga të gjithë, luftë e cila i ka sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”- thuhet në postimin e publikuar në Facebook nga Komuna e Malishevës.

Të enjtën mbrëma, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi se po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

“Operacionet e ZPS-së këtë javë janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)” – thuhet në njoftimin e ZPS-së.

Isni Kilaj ka qenë kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet në Malishevë, por pasi humbi garën u largua edhe nga politika.