20 punëtorë u paguan mbi 103 mijë euro në vit pa shkruar fare në punë

Në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim u dhanë 103 mijë e 562 euro gjatë një viti për 20 punëtorë të cilët nuk dolën fare në punë.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit ka zbuluar se përgjatë vitit 2020, 20 punëtorët nuk u regjistruan për vijueshmëri në vendin e punës, në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim. Përveç, vijueshmërisë, që do të duhej të evidentohej, raporti gjen se 20 punëtorët nuk kanë dëshmi se kanë kryer ndonjë punë.

“Çdo zyrtar publik shënohet në librin e vijueshmërisë në punë ose në regjistrin elektronik. Ne kemi vërejtur që në MKK, mungojnë dëshmitë për vijueshmërinë në punë për 20 punonjës të saj. Të njëjtit asnjëherë nuk figurojnë në regjistrin e ardhje vajtjeve në punë gjatë vitit 2020 përderisa kompensimi vjetor për këta të punësuar ishte 103,562.40 euro”, thuhet në raport.

Sipas raportit të ZKA-së, ishin disa arsye pse 20 punëtorë të ministrisë nuk dolën asnjëherë në punë përgjatë vitit të kaluar.

“Shkaku i mosparaqitjes në punë të këtyre zyrtarëve ishte mos krijimi i kushteve të duhura për punë, kontrolli i dobët dhe mos monitorimi i tyre nga menaxhmenti i ministrisë”, nënvizon raporti.

Gjetjet e raportit tregojnë se edhe një zyrtar, udhëheqës i divizionit për planifikim të politikave në këtë ministri nuk ishte evidentuar në regjistrin e punëtorëve, por, sipas zyrtarëve përgjegjës, shkak ishte mungesa e kartelës.

Dhënia e pagës pa shkuar në punë fare dhe mos vijueshmëria në punë, sipas raportit, sjell rezultate jo të mira për institucionin.

“Kompensimi i tillë i zyrtarëve e dëmton buxhetin dhe reputacionin e organizatës në përgjithësi, gjithashtu e rrit rrezikun që organizata të dështoj në realizimin e objektivave të saja”, thuhet në raport.

Në fund, ZKA ka dhënë edhe rekomandime sesi duhet vepruar në këto situata.

“Ministri duhet të sigurojë kontrolle adekuate në fushën e personelit, të zgjidhë problemin e angazhimit të punonjësve në punë dhe të ndërmerren hapat e duhur për zbatimin e legjislacionit në fuqi duke siguruar menaxhim efikas dhe efektiv të organizatës në drejtim të realizmit të objektivave të saj”, thekson raporti.