Foto: REL/AFP

10 vite nga marrëveshja e parë e parimeve mes Kosovës dhe Serbisë

Sot janë shënuar 10 vite prej arritjes së marrëveshjes së parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur mes Kosovës dhe Serbisë me 19 prill të vitit 2013 në Bruksel. Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër i Kosovës dhe Ivica Daçiq firmosën ujdinë 15 pikëshe, që synonte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Zhvillimet politike në Kosovë i ka karakterizuar dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i nisur në vitin 2011, proces të cilin e përcollën shumë marrëveshje të nënshkruara por që pak prej tyre kanë arritur të zbatohen.

Së fundmi, të dyja vendet u dakorduan që përmes propozimit të Bashkimit Evropian, i njohur si “plani franko-gjerman”, që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, që sipas nenit 10 të planit “mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”.

Marrëveshja me 11 nene, e nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Pas dakordimit në Ohër, Kosova dhe Serbia të ndërmjetësuara nga BE kanë themeluar Komitetin e Përbashkët Monitorues. Ky komitet do të kryesohet nga i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Petar Stano ka thënë se “detyra e Komisionit të përbashkët është që të mbikëqyrë implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e implementimit të saj”.

Marrëveshja për të pagjeturit është urgjencë e cila del nga aneksi i dakorduar më 18 mars në Ohër.

Për këtë marrëveshje, zëvendëskryeministri për dialog i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryenegociatori serb Petar Petkoviq kanë diskutuar në takimin e 4 prillit.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka deklaruar se në takimin e radhës të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, BE do të ta mbështesë miratimin e tekstit për marrëveshjen për të pagjeturit.

Ankesi po ashtu ka paraparë që Kosova të nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për përcaktimin e aranzhimeve dhe garancive specifike, që sigurojnë një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të dialogut.

Praktikat në të kaluarën tregojnë se disa marrëveshje që janë nënshkruar në Bruksel dhe jo vetëm, nuk janë zbatuar.

E tillë është edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që ishte paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, kur kryeministër ishte Hashim Thaçi. Marrëveshja e Brukselit ishte ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë, ku shumica e popullsisë është serbe, të cilat janë Mitrovica e Veriut, Kllokoti, Parteshi, Ranillugu, Graçanica, Zveçani, Zubin Potoku, Novobërda, Leposaviqi dhe Shtërpca.

Mirëpo edhe në vitin 2015, Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e BE-së kishin arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e Asociacionit.

Në tetor të vitit 2015, kjo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës

Ndonëse nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, partnerët ndërkombëtarë vazhdimisht kanë përmendur se marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet nga Kosova. E në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës vazhdimisht kanë theksuar se marrëveshja antikushtetuese kurrsesi nuk mund të zbatohet.

Ndërkohë, në Planin e Zbatitmit të propozimit të BE-së përmendet termi vetëmenaxhim, për të cilin kryeministri Kurti vazhdimisht ka thënë se bëhet fjalë për vetëmenaxhim të komunitetit serb e jo të komunave.

E në anën tjetër, as marrëveshja për energjinë, e dakorduar me Kosovës dhe Serbisë në qershor të 2022-tës, nuk ka filluar zbatimin.

Ky dakordim parashihte një kalendar 100 ditor, deri tek faturimi i konsumatorëve në veri. Por edhe pas kanë kaluar disa muaj, faturimi nuk ka filluar, sepse nuk janë zbatuar shumë nga pikat e këtij udhërrëfyesi.

Ndonëse marrëveshja ekziston që nga viti 2013, e ende nuk ka zbatim për të, qytetarët e komunave: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Faturat e tyre kanë qenë më të larta për 3.5 për qind.

Megjithatë, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit ka vendosur në fund të vitit 2017 për pezullimin e kësaj praktike, duke konstatuar se është e paligjshme. Ky vendim më vonë është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pagesa më pas është bërë nga Qeveria e Kosovës dhe KOSTT-i.

Më poshtë janë paraqitur disa nga marrëveshjet kryesore që janë arritur në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ndër vite:

-Marrëveshja për Vulat Doganore; Marrëveshja për Lirinë e Lëvizjes; Njohja e Diplomave; Librat e Gjendjes Civile; Regjistrat Kadastral; Menaxhimi i integruar i Kufirit janë marrëveshjet e arritura në vitin 2011.

-Marrëveshja për Përfaqësim dhe Bashkëpunim Rajonal dhe ajo për zyrtarët ndërlidhës u arritën në vitin 2012.

-Marrëveshja e Parë e Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve; Marrëveshja për Zgjedhjet lokale/ Funksionmi Komunave me Shumicë Serbe në Veri; Marrëveshja për integrimin e Policisë; Marrëveshja për Drejtësi; Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe; Marrëveshja për shpërbërjen e të Ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”; Marrëveshja për Energjinë; Marrëveshja për Telekomunikacion, ishin marrëveshjet e miratuara në 2013-tën.

-Në vitin 2015 u arrit marrëveshja për Urën e Mitrovicës dhe ajo për Sigurimin e Automjeteve.

-Ndërkaq në vitin 2016 u arrit Marrëveshja për Njohjen Reciproke të Certifikatave ADR.