Pamje nga fillimi i takimit trepalësh në Ohër
BE publikon aneksin e zbatimit të marrëveshjes
19.3.2023 - 00:28
Bashkimi Evropian ka publikuar aneksin e zbatimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Këto janë pikat që përmban aneksi i prezantuar shkurtimisht edhe nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell:
- Ky aneks përbën një pjesë integrale të Marrëveshjes.
- Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e marrëveshjes dhe këtë aneks si dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga marrëveshja dhe ky aneks në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.
- Palët kanë parasysh se marrëveshja dhe aneksi i zbatimit do të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët vënë në dukje se menjëherë pas miratimit të marrëveshjes dhe këtij aneksi, lehtësuesi i BE-së do të fillojë procesin për të ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga marrëveshja dhe ky aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për normalizim do të pasqyrojë në mënyrë të barabartë obligimet e reja të Kosovës që rrjedhin nga marrëveshja dhe ky aneks.
- Palët bien dakord të miratojnë deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente.
- Për të zbatuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për vendosjen e aranzhimeve dhe garancive specifike për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse të Dialogut siç përcaktohet nga lehtësuesi i BE-së.
- Palët bien dakord të krijojnë një Komitet të Përbashkët Monitorues, të kryesuar nga BE-ja, brenda 30 ditëve. Zbatimi i të gjitha dispozitave do të sigurohet dhe mbikëqyret nga Komiteti i Përbashkët i Monitorimit.
- Për të zbatuar nenin 9, BE-ja do të organizojë një konferencë donatorësh brenda 150 ditëve për të krijuar një paketë investimi dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë. Asnjë disbursim nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e marrëveshjes janë zbatuar plotësisht.
- Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri.
- Rendi i paragrafëve të këtij aneksi nuk cenon rendin e zbatimit të tyre.
- Kosova dhe Serbia pajtohen të mos bllokojnë zbatimin e asnjë prej neneve.
- Të gjitha diskutimet në lidhje me zbatimin e marrëveshjes do të zhvillohen në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE.
- Kosova dhe Serbia pranojnë se çdo mosrespektim i detyrimeve të tyre nga marrëveshja, ky aneks ose marrëveshjet e dialogut të kaluar mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.