Kurti: Protesta nuk është për vota, shteti është në pikëpyetje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti renditi arsyet pse sipas tij po zhvillohet protesta kundër presidentit Hashim Thaçi.

“Aq shumë e duma Kosovën Republikë, aq shumë e duam Kosovën Lindore, aq shumë e duam Shqipërinë sa që për asnjë kusht e asnjë rrethanë nuk i nënshtrohemi këtij njeriu. Kjo protestë nuk është as për elektorat as për vota. Në zgjedhje është pushteti në pyetje, por sot është shteti në pikëpyetje. Serbisë borxh nuk i kemi, dhimbje e kompromise të reja nuk pranojmë”, tha Kurti

Ai foli lidhur me idetë e Thaçit për të bashkuar Luginën e Preshevës me Kosovën që për LVV po përkthehet në shkëmbim të territoreve.

“Thaçi asnjë cent nuk ia dha Luginës së Preshevës… dhe shpreh gatishmëri ta përdorë vendin tonë si monedhë për kusuritje. Nuk pranojmë kthim në kohën e Rankoviqit. Nuk pranojmë që për katër fshatra të Bujanocit e shtatë fshatra të Preshevës ta japim Ujmanin e Trepçën”, tha Kurti.

Ai shtoi se ‘aventurat’ e Thaçit duhet të mbeten personale.

Aventura e Thaçit duhet të ngelet ashtu siç është, personale dhe vetëm personale. Thaçi është i nënshtruar dhe ne nuk i nënshtrohemi atij. Ai është President me një këmbë dhe vetëm kryeministri që gjithashtu është me një këmbë po e mban atë në pozitë me një këmbë

Kurti i ka përshëndetur edhe deputetet tjerë nga LDK-ja që i janë bashkangjitur protestës së thirrur nga Vetëvendosja.

Në kryeqytet ka filluar protesta e thirrur nën organizimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Qëllimi i protestës sipas organizatorëve është shfaqja e kundërshtimit ndaj idesë së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë.

Për ditë me radhë, LVV ka publikuar video promocionale dhe ka bërë tubime ku ftoi qytetarët dhe aktivistët në protestë kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve që sipas tyre nënkupton edhe shkëmbim territoresh.

Autobusë falas për aktivistë dhe qytetarët që dëshirojnë t’i bashkohen protestës janë organizuar nga LVV me nisje nga secila komunë e Kosovës.

“Të shtunën, me 29 shtator, prej orës 14:00, së bashku do të protestojmë paqësisht e qytetarisht në Prishtinë kundër pazareve me Serbinë, për sovranitetin e vendit”, thuhej në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.