Hapësira e Autostradës Biennale. Foto: AB.

Të shtunën mbyllet edicioni i 4-të i ‘Autostrada Biennale’

Edicioni i sivjetëm, i katërti me radhë, i “Autostrada Bienale” mbyllet të shtunën, më 9 shtator në Prizren. Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbyllje të këtij aktivitet organizatorët kanë thënë se në program janë edhe disa aktivitete për grupmosha të ndryshme.

“Java përmbyllëse është e mbushur me aktivitete të shumta për grupmosha të ndryshme në tre qytete, në Prizren, Prishtinë dhe Mitrovicë. Ceremonia e mbylljes së këtij edicioni do të mbahet më 9 shtator duke filluar me një tur të fundit në orën 11:00 dhe duke vazhduar me një konferencë për media në ora 12:30 në Autostrada Hangar, ITP Prizren”- thuhet në njoftimin e “Autostrada Bienale”.

Edicioni i katërt i Autostrada Bienale ka nisur më 7 korrik 2023, dhe gjatë dy muajve janë prezantuar shumë ekspozita e aktivitete tjera të artit bashkëkohor.

“Nga tridhjetë projektet e prezantuara këtë vit, shtatëmbëdhjetë janë produksione të reja që i përgjigjen kontekstit lokal dhe trajtojnë tema të autobiografive kolektive, arkivave kulturore, kujtesës shumëdrejtimëshe, si dhe shpresës dhe këmbënguljes”- thuhet në njoftim.

Po sipas organizatorëve gjatë këtyre dy muajve sa ka zgjatur bienalja janë organizuar një numër aktivitetesh, si: ekspozita, biseda artistësh, biseda me ekspertë, vizita grupore me guidë, punëtori për fëmijë, të rinj dhe të rritur, etj.

Ky edicion i “Autostrada Bienale” është kuruar nga Övül Ö. Durmusoglu dhe Joanna Warsza.