Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Rashiq voton kundër themelimit të Grupit Punues për Muzeun për dokumentimin e krimeve të Serbisë në Kosovë

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e Grupit Punues për themelimin e Muzeut për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të ish Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj Shqiptarëve në Kosovë.

Kundër këtij vendimi ka votuar, ministri për kthim dhe komunitete Nenad Rashiq.

Ai ka thënë se nuk pajtohet me gjeneralizimin që e tërë Serbia është vend kriminal.

“Mendoj që kategorizimi nuk ka qenë i duhuri, këtu përkufizohet i tërë vendi si kriminal, unë pajtohem që një pjesë kanë bërë krime, por jo i tërë vendi. Unë propozoj të bëhet një ndryshim, unë do të votoj kundër, sepse nuk më pëlqen gjeneralizimi se e tërë Serbia është kriminel”- ka thënë Rashiq.

Pas kësaj deklarate, kryeministri Albin Kurti e ka marrë fjalën duke thënë se pajtohet se nuk është mirë të bëhen gjeneralizime për fajësim të popujve.

“Edhe unë pajtohem që nuk është mirë të bëjmë gjeneralizime për fajësime të popujve, pajtohem se kjo duhet të adresohet të organet zyrtare për urdhërat që janë dhënë dhe ekzekutimet që janë bërë jo tek fajsimi i popujve”- ka deklaruar kryeministri Kurti.

Ndërsa, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili ka thënë se ky vendim paraqet një hap të rëndësishëm për dokumentimin e historisë sonë dhe prezantimin e saj për qytetarët dhe përcjelljen e kësaj kujtese të brezat e ardhshëm.