Ministria e Kulturës nis procesin e restaurimeve në Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur procesin për restaurimin e dy shtëpive që gjenden brenda Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt.

Për vite është raportuar për gjendjen e keqe të shtëpive – objekteve të cila ndodhen brenda këtij Kompleksi Memorial.

Por, një komisioni i ekspertëve ka vërtetuar se vetëm 2 prej 5 shtëpive që ndodhën brenda kompleksit, kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme.

Të tjerat, ato më kryesoret të kompleksit, të familjes Jashari, mund të rezistojnë deri në rrumbullakimin e plotë të projektit shtetëror për restaurimin e kompleksit “Adem Jashari”.

Javën e kaluar ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, gjatë takimit të Komitetit ndërministror për koordinimin e procesit, përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të projektit për kompleksin “Adem Jashari”, prezantoi raportin e ekspertëve për gjendjen e objekteve.

Sipas raporti të prezantuar nga Çeku, në tri objektet e para, është paraparë mbrojtje e ndërtesave nga shembjet progresive dhe sanimin e elementeve primare që janë dëmtuar, por që nuk janë klasifikuar për intervenim emergjent të tërësishëm.

Ndërsa, sipas raportit të prezantuar në objektin nr. 4 dhe nr. 5, është e nevojshme të ndërhyhet urgjentisht për marrjen e masave mbrojtëse duke i klasifikuar për intervenim emergjent të tërësishëm.

Zana Fetiu, këshilltare për media e ministrit të Kulturës, ka thënë për KALLXO.com se MKRS ka filluar me inicimin e procesit të ndërhyrjeve në këto ndërtesa, 4 dhe 5.

“Në bazë të raportit të vlerësimit të gjendjes fizike, janë konstatuar se ndërtesat janë në gjendje të keqe fizike. Është fjala për shtëpinë e Sala dhe Hamit Jasharit (ndërtesa 4) dhe shtëpia e Smajl Jasharit (ndërtesa 5)”, ka thënë Fetiu.

Ajo ka thënë se ndarja e mjeteve financiare për restaurimin e këtyre shtëpive do të bëhet paralelisht me hartimin e projektit ideor të ndërhyrjeve konservuese​-restauruese.

“Ende nuk mund të dihet me saktësi se kur do të përfundojë konservimi-restaurimi i këtyre ndërtesave, pasi siç e theksuam me lartë, tani posa po iniciohet procedura për hartim të projektit ideor. Sa i përket ndërtesave të tjera në kuadër të Kompleksit ‘Adem Jashari’, ditëve në vijim do të finalizohet ekipi i eksperteve i cili do të analizojë dhe rekomandojë hapat e mëtejmë që duhet të ndërmerren”, ka thënë Fetiu.

Ndërsa, Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, ka thënë për KALLXO.com se ekipi i ekspertëve ka vlerësuar se shtëpitë kryesore, të Jasharajve, kanë bazë apo qëndrueshmëria dhe mund të rezistojnë deri në hartimin e projekti për memorialin.

“Sipas fjalëve të ekspertëve shtëpitë e rezistencës, (fjalë është për atë të Familjes së Adem e Hamëz Jashari) do të rezistojnë deri sa të bëhet një projekt i përgjithshëm”, ka thënë Zogaj. Por, ai ka thënë se nuk ka ndonjë afat se kur mund të rrumbullakohet projekti për kompleksin.

Zogaj shpreson se, të paktën deri në fillim të viti të ardhshëm të jetë gati projekti për konservimin dhe restaurimin e Kompleksit Memorial, “Adem Jashari” në Prekaz.

Komisioni ndërministrorë udhëhiqet për kompleksin “Adem Jashari” udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa pjesë e tij janë një disa ministra, anëtar të Agjencisë së Memorialëve, anëtarë të Shoqatave të Luftës, por edhe profesionistë të fushave të ndryshme të trashëgimisë kulturore.