‘Gratë udhëheqëse në fokus’, ekspozitë frymëzimi për gratë e reja në Kosovë
Ekspozita “Gratë udhëheqëse në fokus” e fotografit Arben Llapashtica dhe e kuruar nga Eliza Hoxha, do të hapet të mërkurën, më 17.04.2024, në ora 18:00 në “Qendrën Barabar” në “Hotel Grand” në Prishtinë.
Organizata “Integra” ka bërë të ditur se qëllimi i kësaj ekspozite është t’i shtjellojë nuancat e pozitës së grave në Kosovë dhe t’i shpalosë, çmojë dhe njohë kontributet e tyre të shumëllojshme nëpër aspekte të ndryshme të shoqërisë.
Kjo ekspozitë ka për synim që të shërbejë edhe si burim frymëzimi për shumë gra të reja në Kosovë.
“Thëniet e tyre frymëzuese do rrjedhin me shiritin e verdhë të lidershipit që karakterizohet nga stili inovativ, vlerat kreative dhe mendimet jashtë kutisë. Nga Majlinda tek Edita, nga Feridja tek Hiljminjeta, nga Kaqusha tek Teuta, nga Gordana tek Mirjeta e nga Mimoza tek Jeta, kemi shumë për të mësuar, për t’u frymëzuar, dhe për t’u krenuar”- thuhet në njoftimin e “Integras”.
Ky projekt implementohet nga “Integra” dhe “Qendra Barabar”, me mbështetjen e UNMIK-ut.