Për shkak të ditës së zisë, shtyhet hapja e ekspozitës ‘Gratë udhëheqëse në fokus’

Për shkak të ditës së zisë shtetërore të shpallur nga presidentja, Vjosa Osmani, në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara në Kosovë, është shtyrë për nesër (18.04.2024) hapja e ekspozitës “Gratë udhëheqëse në fokus”.

Hapja e ekspozitës, “Gratë udhëheqëse në fokus” e fotografit Arben Llapashtica dhe e kuruar nga Eliza Hoxha, ishte planifikuar të hapet sot, më 17.04.2024 në ora 18:00 në “Qendrën Barabar” në “Hotel Grand” në Prishtinë.

“Për shkak të rasteve të fundit të femicidit dhe shpalljes ditë zie shtetërore hapja e ekspozitës ‘Gratë udhëheqëse në fokus’ shtyhet me datë 18 prill 2024, prej orës 18.00, në Qendrën Barabar”- thuhet në njoftimin e organizatës “Integra”, bartëse e organizimit të ekspozites.

Ekspozita ka si qëllim të shtjellojë nuancat e pozitës së grave në Kosovë dhe t’i shpalosë, çmojë dhe njohë kontributet e tyre të shumëllojshme nëpër aspekte të ndryshme të shoqërisë.

Kjo ekspozitë ka për synim që të shërbejë edhe si burim frymëzimi për shumë gra të reja në Kosovë.