Edi Hila ekspozon në Galerinë e Ministrisë së Kulturës

Edi Hila do të hapë të hënën, më 15.04.2024, në ora 20:00, ekspozitën personale, ”A4 Print” në Galeria e Ministrisë së Kulturës (GMK).

Ekspozita është kuruar nga Shkëlzen Maliqi.

GMK ka bërë të ditur se ekspozita me skica në letër formati A4 që piktori Edi Hila i ka shfrytëzuar si maketa për realizimin e pikturave, nuk është paraqitje publike e zakonshme.

“Në renditjen ontologjike të ngjizjes së imazheve, letrat e formatit A4 kanë status thuajse primordial në regjistrimin e fenomeneve të paraqiten në to, të realizuara përmes një procesi ku syri, truri, fokuset e kuadrimeve dhe momentet e shkrepjeve të foto-aparatit në dorën e artistit, përbëjnë një zinxhir ingjenioz të skenimit kreativ me pamje nga Shqipëria, si një vend me tranzicion tejet të habitshëm”- thuhet në njoftimin e GMK-së.

Po sipas njoftimit, në procesin krijues të artistit si dhe në gjenezën e pikturave regjistrohen fragmentet e gjendjeve të një realiteti lëvizës, që tanimë është zhdukur ose po transformohet.

“Këto pamje e kanë rëndësinë primordiale. Kështu që, në opusin e autorit, ato bëhen jo vetëm plotësim, por edhe të barazvlerëshme me pikturat”- thuhet më tej në njoftim.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 qershor 2024.