array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Video e rreme e aksidentit e prezantuar që kinse ka ndodhur në Kosovë

Deklarata

Aksident, live në një Autostradë të Kosovës. Pamje +18

Faqet në Facebook

Vlerësimi

Rrenë

Mbishkrimi në videon “Aksident, live në një Autostradë të Kosovës. Pamje +18” është i rremë. Krypometër ka gjetur se kjo video nuk është realizuar në Kosovë, pasi e njëjta ishte publikuar kohë më parë në mediat në gjuhën ruse. Policia e Kosovës ka thënë se pamjet që transmetohen në këtë video dhe sidomos rrethojat e autostradës tregojnë se kjo video nuk është xhiruar në Kosovë. 

Artikulli

Më 6 janar 2024 faqja në Facebook-ut ‘Bota e Lajmeve’ (arkiva) ka publikuar një video në të cilën pretendohet se ka ndodhur një aksident në një autostradë të Kosovës.

“Aksident, live në një Autostradë të Kosovës. Pamje +18”- thuhet në përshkrim.

Krypometër, përmes kërkimeve me TinEye dhe InVID ka gjetur se video është publikuar fillimisht në faqe që nuk e kanë bazën në Kosovë, përkatësisht në faqen në Instagram “tut.dagestan” (arkiva), me mbishkrim rusisht “Mos e bëj këtë!”.

Për të verifikuar vërtetësinë e këtij postimi, Krypometër ia ka dërguar videon Policisë së Kosovës më 19 janar 2024. 

Policia e Kosovës kishte kërkuar kohë për të analizuar videon dhe për të krahasuar me aksidentet e raportuara në Autostradë në kohën e publikimit të kësaj video. 

Disa ditë më vonë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ka thënë se ky aksident nuk ka ndodhur në Kosovë.

“Nuk është në Kosovë. Unë çdo cep të autostradave tona i kam kalu, po këso rrethojash nuk kam pa”- ka thënë Krasniqi për Krypometrin, më 23 janar 2024.

Kjo video është publikuar disa ditë pas një aksidenti me 3 të vdekur që kishte ndodhur në Autostradën ‘Ibrahim Rugova’ pas një gare automobilistike të jashtëligjshme që ishte organizuar në autostradën ‘Ibrahim Rugova’.

Për këtë aksident janë arrestuar Irfan Hoti dhe Arlind Syla, pasi sipas Prokurorisë të njëjtit dyshohet se janë marrë vesh dhe kanë organizuar garë të kundërligjshme automobilistike. Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Prizrenit ndaj tyre ka vazhduar masën e paraburgimit deri më 16 dhe 17 mars të vitit 2024.

Sipas dosjes së Prokurorisë ata kishin lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VW Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës.

Për pasojë ishin goditur për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D. dhe L.S., të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës.

Sipas statistikave nga Policia e Kosovës, 104 persona kanë vdekur në Kosovë nga aksidentet e trafikut që nga janari e deri më 19 dhjetor 2023 në 94 aksidente trafiku të cilat kanë përfunduar me fatalitet. Muaji me më së shumti aksidente me fatalitet ka qenë muaji korrik me gjithsej 18 të vdekur.

Në territorin e Kosovës janë dy autostrada, “Ibrahim Rugova” (arkiva) që fillon nga fshati Besi dhe vazhdon deri në Vërmicë, dhe autostrada “Arben Xhaferi” (arkiva), që lidh Prishtinën me Han të Elezit, gjegjësisht me vendkalimin kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.