Dosja e Prokurorisë ndaj dy të arrestuarve për garën automobilistike ku vdiqën 3 persona

Për aksidentin tragjik në një garë automobilistike që ndodhi në Autostradën “Ibrahim Rugova”, ku si pasojë mbetën tre persona të vdekur, janë arrestuar 2 persona, A. S. dhe I. H.

Ata po dyshohen për rrezikim të trafikut publik e parparë me Kodin Penal.

Ndaj tyre, prokuroria ka kërkuar paraburgimin në afat prej 30 ditësh si masë e sigurisë.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A. S., dhe I. H., në kohëzgjatje prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 – paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Sipas prokurorisë A. S. dhe I. H. me dashje dhe në bashkëkryerje kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor.

Si ka ndodhur rasti sipas prokurorisë?

Sipas dosjes së prokurorisë, të pandehurit janë marrë vesh dhe kanë organizuar garë të kundërligjshme automobilistike.

Ata kishin lëvizuar paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VW Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të austostradës.

Për pasojë ishin goditur për vdekje këmbësorët – viktimat N. B., M. D. dhe L. S., të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës.

Për këtë rast kishte reaguar edhe kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini i cili kishte thënë se ky rast ka goditur rëndë tri familjet.