Gjykata lë në paraburgim të dyshuarit për aksidentin në garat me makina në autostradën “Ibrahim Rugova

Aksidenti tragjik në një garë automobilistike që ndodhi në Autostradën “Ibrahim Rugova” në muajin dhjetor të vitit të kaluar, pati për pasojë tre persona të vdekur.

Për këtë aksident po dyshohen Irfan Hoti dhe Arlind Syla.

Gjatë ditës së sotme, është konfirmuar nga Gjykata e Prizrenit se ndaj tyre është vazhduar masa e paraburgimit deri më 16 dhe 17 mars të këtij viti, me kërkesë të prokurorisë.

“Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, Gjyqtarja e Procedurës paraprake, Teuta Krusha, me datë 15.01.2024, ka marrë AKTVENDIM, dhe të pandehurve A.S., dhe I.H., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, rrezikimi i trafikut publik, nga neni 370, par. 5 (nëse vepra rezulton me vdekjen e një (1) apo më shumë personave), lidhur me par. 1 lidhur me nenin 31 të KP-së, ashtu që të pandehurve i’u është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy (2) muajsh (të pandehurit A.S., kjo masë mund ti zgjasë deri më datë 16.03.2024, të pandehurit I.H., kjo masë mund ti zgjasë deri më datë 17.03.2024)” – thuhet në njoftimin e gjykatës për KALLXO.com.

Sipas gjykatës, vazhdimi i paraburgimit është i nevojshëm, pasi që hetimet janë në fazën fillestare, dhe vazhdimi i paraburgimit është i arsyeshëm me qëllim të sigurimit të të dyshuarve në procedurë hetimore.

Tutje, një njoftimin në fjalë thuhet se me lënien e tyre në liri ekziston rreziku i arratisjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Kushti tjetër ligjor që gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është i nevojshëm, është mundësia e ndikimit të tyre në dëshmitarë të ngjarjes kritike.

Si ka ndodhur rasti sipas prokurorisë?

Sipas dosjes së prokurorisë, të pandehurit janë marrë vesh dhe kanë organizuar garë të kundërligjshme automobilistike.

Ata kishin lëvizur paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VW Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të autostradës.

Për pasojë ishin goditur për vdekje këmbësorët – viktimat N.B., M.D. dhe L.S., të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës.

Ndaj tyre rëndon akuza e rrezikimit të trafikut publik.

Sipas Kodit Penal nga neni 370, rrezikimi i trafikut publik që sjell për pasojë vdekjen e një apo më shumë personave, dënueshmëria minimale është 3 vite kurse ajo maksimale 12 vite.

“Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet” – përshkruhet në paragrafin 5 të nenit 370 të Kodit Penal.