array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=7"
  }
}

Kuvendi i Kosovës, FOTO: KALLXO.com

Buxheti mori votën e PSD-së edhe pa plotësimin e tërësishëm të kushteve

Deklarata

Vetëm Ligji për Qeverinë është në pritje. Pasi që afati i tij nga fillimi ka qenë deri në muajin mars

Shkodran Hoti

Vlerësimi

Hetimet vazhdojnë

PSD ka votuar buxhetin e Kosovës ende pa u plotësuar pesë kushtet e vendosura. Meqë afati për kushtin e fundit është deri në mars, Krypometri e vlerëson këtë situatë si ‘hetimet vazhdojnë’ dhe do ta përcjellë përmbushjen e këtij kushti.

Artikulli

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2019 siguroi mbështetjen edhe të një partie opozitare që kishte vendosur pesë kushte për votën e tyre.

Megjithatë, ekzekutivi nuk i ka kryer obligimet në tërësi edhe pse Partia Socialdemokrate  e votoi buxhetin.

Kushtet përfshinin shkarkimin e Ministrit të Bujqësisë, Miratimin e Ligjit për Paga, Ligjit për Dialogun,  Themelimi i komisionit të veçantë për draftimin e kodit pensional dhe miratimi i Ligjit për Qeverinë në mënyrë që të mos ketë më shumë dy Zëvendësministra për ministri.

Kushti i mbetur pa plotësuar është ai mbi Ligjin e Qeverisë i cili sipas PSD-së ka afat përmbushjeje deri në mars.

E krenare për plotësimin e kërkesave të PSD-së dhe kushtëzimin e tyre me votë, ishte shprehur zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi, e cila menjëherë pas votimit të buxhetit, ‘fitoren’ e PSD-së e bëri publike përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Kur e ke mundësinë të bësh ndryshime përmes kushtëzimit me votën tënde, atëherë nuk i’a vlen të presësh zgjedhjet…. Kërkesat u plotësuan, të gjithë qytetarët përfituan dhe PSD vazhdon me punë për arritjen e social demokracisë në vendin tone”, ka shkruar Kuçi.

Ndërkaq, Shkodran Hoti, zëdhënës i kësaj partie ka thënë për gazetën Jeta në Kosovë se vetëm një kusht nuk është plotësuar dhe është në pritje.

“Vetëm Ligji për Qeverinë është në pritje. Pasi që afati i tij nga fillimi ka qenë deri në muajin mars”, tha Hoti.

Pra, kushti i cili ia specifikon qeverisë se nuk mund të ketë më shumë se dy zv/ministra në një ministri nuk është plotësuar. Ndërsa, në tërësi nuk janë plotësuar as kushti për funksionalizimin e Ministrisë së Bujqësisë pasi qeveria ende nuk e ka emëruar ministrin e ri si dhe nuk është funksionalizuar ende komisioni për hartimin e një Kodi për reformim të sistemit pensional edhe pse sipas PSD-së komisioni është themeluar dhe do të udhëhiqet nga PSD-ja.

Çka kërkoi PSD-ja për votimin e buxhetit?

Në seancën e 21 dhjetorit të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar në parim i Projektligjin mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Përderisa dy partitë më të mëdha opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja vetëvendosje, kishin lëshuar sallën për mos ta votuar këtë pikë, PSD-ja qëndroi duke i vënë 5 kushte për qeverinë që ky projektligj t’i marr 12 votat e e deputetëve të Grupit Parlamentar të PSD-së në lexim të dytë.

Dardan Sejdiu, kryetar i grupit parlamentar të PSD-së, në seancën e 21 dhjetorit kishte kërkuar zotim publik të kryeministrit që kushtet e PSD-së duhet të plotësohen në mënyrë që ky projektligj të kaloj në lexim të dytë.

“Në mënyrë që në parim të përkrahim projektbuxhetin ne si PSD kemi 5 kërkesa. Ligji për paga të miratohet në lexim të dytë së bashku me leximin e dytë të projektbuxhetit me theks të veçantë në kërkesat e sektorit të shëndetësisë. Ligji për dialogun të miratohet në qeveri dhe të dërgohet në Kuvend jo më larg se ditën e hënë. Ligji për qeverinë të sillet në kuvend për miratim jo më larg se tre muaj. Nuk mund të ketë më shumë se dy zv/ministra për një ministri. Kërkojmë nga ju funksionalizimin e plotë të Ministrisë së Bujqësisë. Dhe kërkojmë nga ju lirimin nga detyra të ministrit të Bujqësisë dhe emërimin e një ministri që e funksionalizon Ministrinë e Bujqësisë. Projektbuxheti i qeverisë është tejet i ngarkuar me skema sociale e benefite pensionale. Të themelohet komision i veçantë për draftimin e kodit pensional dhe të bëhet reformë e plotë e sistemit pensional dhe ky komision të udhëhiqet nga PSD”, tha Sejdiu.

Kryeministri Ramush Haradinaj, pas deklaratës së Sejdiut, e kishte marr fjalën në foltoren e Kuvendit duke i pranuar kërkesat e tyre.

“Në kohën kur Lista Serbe ka provuar më e kushtëzuar Kosovën, ju keni mbajt qëndrim parimor, ndër to ajo e Ushtrisë, kërkesat që i sjellët sot janë të drejta ne si koalicion qeverisës i marrim këto kërkesa të hënën fillojmë me ligjin për dialogun” kishte thënë Haradinaj.

Kuvendi i Kosovës në seancën e dytë të sesionit pranveror kishte vendosur që në rend të ditës ta vendos miratimin në lexim të dytë të Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Ndërsa PSD-ja, vazhdimisht ka qëndruar prapa deklaratave të tyre se 5 kërkesat mbeten kusht për qeverinë që ta votojnë buxhetin.

Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate, thotë se vota e tyre për buxhetin lidhet me pesë kushtet e vendosura nga ta.

“Vota jonë për buxhetin është e lidhur pandashëm me plotësimin e 5 kushteve të vendosura nga ne, rrjedhimisht ne do ta votojmë buxhetin në seancën e së enjtes vetëm me plotësimin e tyre”, kishte thënë ajo për KALLXO.com.

Qeveria kishte filluar që ti shqyrtoj kërkesat e PSD-së dhe disa nga to edhe i ka plotësuar.

 Nuk plotësohen në tërësi kërkesat e PSD-së

Në bazë të zhvillimeve të deritanishme, 5 kërkesat e PSD-së nuk janë plotësuar në tërësi, e këtë e ka konfirmuar për gazetën JNK edhe Shkodran Hoti zëdhënësi i kësaj partie.

Kushti i cili ia specifikon qeverisë se nuk mund të ketë më shumë se dy zv/ministra në një ministri nuk është plotësuar. Ndërsa në tërësi nuk janë plotësuar as kushti për funksionalizimin e Ministrisë së Bujqësisë pasi qeveria ende nuk e ka emëruar ministrin e ri si dhe nuk është funksionalizuar ende komisioni për hartimin e një Kodi për reformim të sistemit pensional.

Hoti, tha se nga 5 kushtet, vetëm Ligji për Qeverinë është në pritje.

“Pasi që afati i tij nga fillimi ka qenë deri në muaji mars. Ne besojmë se brenda kësaj periudhe do të sillet në Kuvend për miratim edhe ky ligj. Sepse konsiderojmë që është po ashtu shumë i rëndësishëm. Veçanërisht kur dihet se me këtë ligj reduktohet drastikisht numri i zv/ministrave”, tha ai.

Hoti tha se para se të fillonte seanca është shkarkuar së pari Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Ky hap sipas tij i hap rrugë funksionalizmit të Ministrisë së Bujqësisë.

Hoti e ka cekur Ligji për Paga, i cili kusht është plotësuar dhe sipas tij falë këtij ligji vendoset rend, instalohet transparencë dhe rregullohet hierarkia e pagave në sektorin publik, dhe i cili fillon të implementohet brenda 9 muajve.

“Menjëherë pas tij, u votua Ligji për Delegacionin Shtetëror, që është kërkesë plotësisht e realizuar. Efekti i tij është jashtëzakonisht domethënës për të ardhmen e vendit, pasi që një proces jetik si dialogu nuk e lë në dorën e një individi, por i jep rolin qendror Kuvendit dhe mundëson vendimmarrje konsensuale”, shtoi Hoti.

Dhe, në fund Hoti tha se është formuar komisioni i cili do të udhëhiqet nga PSD për hartimin e një Kodi për reformim të sistemit pensional dhe të ndihmave sociale dhe pritet të fillojë punën sa më parë.

Hoti, shtoi se lidhur me këto kushte, ka pasur tendenca nga qarqe të ndryshme që t’i paraqesin si pazare të PSD-së me qeverinë.

Por ai e mohoi një gjë të tillë duke thënë se secili nga kushtet po realizohet në afatet e paracaktuara.

“Kushdo që e ka ndjekur seancën parlamentare të 2 dhe 3 shkurtit, kur edhe u votua Ligji për ndarjet buxhetore të këtij viti, e ka parë se para këtij votimi janë plotësuar me radhë katër kërkesat tona të cilat afatin e kishin të plotësohen deri atëherë”, përfundoi ai.

Ndryshe, pas një debati të gjatë, më 3 shkurt Kuvendi i Kosovës me 65 vota e ka miratuar në shqyrtim të dytë i Projektligjin për Buxhetin e vitit 2019.