Më 2 shkurt seanca për buxhetin e vitit 2019, PSD pret përmbushjen e kushteve

Seanca plenare e ardhshme e Kuvendit të Kosovës do të jetë me 2 shkurt në ora 10:00.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha pas mbledhjes së Kryesisë se pikë e rendit të ditës në këtë seancë do të jetë buxheti i vitit 2019.

“Me 2 shkurt, në ora 10:00 do të ketë seancë për Buxhetin. Para votimit të buxhetit janë 9 pika të tjera të rendit të ditës. Shpresojmë që ligji për buxhetin të kalojë në mënyrë që të gjithë sektorët publikë të funksionojnë”, tha Veseli.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu tha se përveç buxhetit pikë e rendit të ditës do të jetë edhe projekt statusi i Trepçës.

“Seanca për ndarjen buxhetore mbahet më 2 shkurt. Në rend të ditës para votën për projektligjin për ndarjen buxhetorë edhe ligji për pagat. Pas saj është ligji për paga dhe dy ligje tjera që lidhet me ligjin e pagave, kodi pensional. Pas ligjit për ndarje buxhetore është edhe projekt statusi i Trepçës. Besoj që me 2 shkurt edhe kushtet e PSD-së do të plotësohen dhe të arrihet”, tha Sejdiu.

Ai tutje shtoi se deri të shtunën pritet që të plotësohen kushtet e PSD-së, përfshirë edhe shkarkimin e Ninad Rikalos.

“Ne e kemi bërë të ditur se buxhetin nuk e votojmë deri sa nuk plotësohen kushtet. Ne i kemi bërë publike kushtet. Sot është votuar për datën e mbajtjes së mbledhjes. Ka arsye që ndërlidhen edhe me kushtet. Unë po besoj që e shtuna nuk është larg”, tha Sejdiu.

Ai foli edhe për mocionin e mundshëm për rrëzimin e Qeverisë, ku tha se le të vjen njëherë mocioni.

“Le të vie mocioni. Ne nuk kemi parë mocionin,kemi parë disa rezoluta, në votat e këtyre rezolutave as deputetët që e kanë nënshkruar nuk kanë qenë”, shtoi ai.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se e kanë kundërshtuar seancën, sepse sipas tyre, ky ligj është në kundërshtim me frymën kushtetuese.

“Ky koalicion qeverisës është duke e dëmtuar kushtetutshmërinë e Kosovës. Arsyeja tjetër është që lidhet me buxhetin, kjo mazhorancë e ka futë në krizë buxhetore vendin”, tha Zemaj.