FOTO KUVENDI I KOSOVES

Miratohet në parim buxheti për vitin 2019

Kuvendi miraton në parim i Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019. Me 62 deputetë të pranishëm në sallë ku nga ta 62 votuan pro, Kuvendi ka miratuar buxhetin për vitin 2019-të.

Kjo pikë ka hyrë si pikë e parë e rendit të ditës me kërkesë të Memli Krasniqi, kryetar i grupit parlamentar. Ai  ka kërkuar mocion procedural që të kalojë si pikë e parë e rendit të ditës votimi në parim i Projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.

Por, për ta votuar këtë pikë, Partia Social Demokrate, i ka pasur 5 kërkesa për kryeministrin e Kosovës dhe ka kërkuar zotim publik nga ai se do t’i zbatojë kërkesat.

Dardan Sejdiu, kryetar i grupit parlamentar të PSD-së, tha se në situatën që është sot Kosova, funksionaliteti i Republikës së Kosovës nuk guxon të mbetet peng i instrumentit të Serbisë përkatësisht Listës Serbe.

“Në mënyrë që në parim të përkrahim projektbuxhetin ne si PSD kemi 5 kërkesa. Ligji për paga të miratohet në lexim të dytë së bashku me leximin e dytë të projektbuxhetit me theks të veçantë në kërkesat e sektorit të shëndetësisë. Ligji për dialogun të miratohet në qeveri dhe të dërgohet në Kuvend jo më larg se ditën e hënë. Ligji për qeverinë të sillet në kuvend për miratim jo më larg se tre muaj. Nuk mund të ketë më shumë se dy zv/ministra për një ministri. Kërkojmë nga ju funksionalizimin e plotë të Ministrisë së Bujqësisë. Dhe kërkojmë nga ju lirimin nga detyra të ministrit të Bujqësisë dhe emërimin e një ministri që e funksionalizon Ministrinë e Bujqësisë. Projektbuxheti i qeverisë është tejet i ngarkuar me skema sociale e benefite pensionale. Të themelohet komision i veçantë për draftimin e kodit pensional dhe të bëhet reformë e plotë e sistemit pensional dhe ky komision të udhëhiqet nga PSD”, tha Sejdiu.

Edhe Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i ka pranuar kërkesat e PSD-së.

“Në kohën kur Lista Serbe ka provuar më e kushtëzuar Kosovën, ju keni mbajt qëndrim parimor, ndër to ajo e Ushtrisë, kërkesat që i sjellët sot janë të drejta ne si koalicion qeverisës i marrim këto kërkesa të hënën fillojmë me ligjin për dialogun” tha ai.