Perparim Rama

Rama: Nuk ka logjikë të ndalet projekti i Rrugës A, e njëjta kompani kryen punë edhe për qeverinë

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama e ka quajtur të palogjikshëm vendimin për ndalje të punimeve në Rrugën A apo ‘Jim Xhema’ me anë të një vendimi nga Gjykata Komerciale pasi, sipas tij, e njëjta kompani kryen edhe dy projekte për qeverinë.

Rama në emisionin Rubikon në KTV potencoi se kjo gjë e bën të besoj se vendimi ka qenë puro politik.

“Nuk ka asnjë logjikë që të ndalet projekti i Rrugës A apo Jim Xhema, nëse dikush mendon që ka probleme ligjore, ato duhet të zgjidhen me ligj, le të vazhdon procedura, mirëpo projekti nuk ka arsye të ndalet”- u shpreh Rama.

Lidhur me dekalarimet se operatori që po kryen punimet është i dënuar, Rama tha se të gjitha këto kanë kaluar përmes Organit Shqyrtues të Prokurimit.

“Kompania sot paralelisht kryen punë për kryeqytet dhe qeverinë në dy projekte tjera. E njëjta kompani për qeverinë nuk ka problem, por për kryeqytet paska problem- duhet të ndalet. Kjo më bën të dyshoj se kjo është intervenim puro politik për ndalje të transformimit të kryeqytetit, kjo është e papranueshme”- u shpreh tutje Rama.

Sipas tij, Qeveria me ndërhyrjet dhe stagnimet në projkete të kryeqytetit po i dënon qytetarët e Prishtinës dhe jo atë si kryetar.

Rama theksoi se e njëjta zvarritje nga ana e qeverisë po ndodh edhe me projektin tjetër të madh të unazës së brendshme që ka vlerë mbi 200 milionë euro.

“Jam munduar që të kem bashkëpunim me qeverinë, Prishtinën po e trajtojnë si dicka që nuk është prioritet, e njëjta po ndodhë edhe më projektin për unazën e brendshme, Ministria e Financave nuk po kryen pjesën e tyre”- shtoi tutje Rama.

Gjykata Komerciale më 20 tetor, pezulloi punimet për këtë rrugë në kryeqytet.

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama ka hedhur akuza ndaj gjyqtares së rastit, Vlora Pacolli, që sipas tij është motra e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacollit.

Gjykata Komerciale përmes një reagimi ka shprehur shqetësimin e saj për deklarimet e zyrtarëve shtetërorë lidhur këtë vendim dhe ka thënë se është e rëndësishme që të ndërtohet një kulturë e respektimit të vendimeve gjyqësore duke mos paragjykuar ato.

Kompania e kontraktuar për kryerjen e punëve në rrugën “Jim Xhema”, “Sallahu Shpk” me pronar Lulzim Sallahun, sipas Certifikatës së lëshuar nga Gjykata, nuk ka asnjë dënim dhe është plotësisht i përgjegjshëm sipas Ligjit të Prokurimit Publik.