Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj një personi për vrasje të rëndë në tentativë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.N., për veprën penale – vrasje e rëndë e mbetur në tentativë dhe për veprën penale – mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.N., në Gjakovë në rr. “Bardhyl Qaushi” me dashje, për motive të ulëta ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin F.N.

”Në atë mënyrë ditën kritike, i pandehuri ka marrë revolen e tipit “Ekol Tuna’ dhe me të takuar të dëmtuarin, e nxjerrë revolen nga xhepi dhe në distancë prej 2 metra shkrep një herë ku si pasojë e gjuajtjes të dëmtuarit i shkakton plagë në regjionin e krahut të dorës së majtë dhe të regjionit ijor (lumbal) të anës së djathtë të trupit, të shkaktuara nga veprimi dinamik i predhës të hedhur nga arma e zjarrit dhe si të tilla, bëjnë pjesë në lëndimet e lehta trupore dhe me lëndim të përkohshëm të shëndetit” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.

I pandehuri A.N., sipas aktakuzës, në Gjakovë, ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar armë në shtëpinë e tij dhe atë pistoletën gjysmë-automatike, pasi që më parë e kishte siguruar, e gjerë më datë 25 maj 2023.

Sipas prokurorisë, me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri i ka përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara si më lartë.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.