Aktakuzë ndaj 12 personave për marrje dhe dhënie ryshfeti në pikën kufitare në Han të Elezit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave të dyshuar, duke përfshirë edhe zyrtarë policorë, për marrje dhe dhënie ryshfeti në pikën e kalimit kufitar në Han të Elezit.

Dosja e prokurorisë thotë se zyrtarët policorë në mënyrë direkte kanë pranuar para në shuma të ndryshme, me qëllim që të mos e kryejnë veprimin zyrtar të cilin ata duhej ta kryenin, si mbikëqyrjen e rregullt doganore dhe kontrollin e rregullt kufitar.

Ryshfeti dyshohet se është dhënë brenda një periudhe 10-mujore, nga shtatori i vitit 2021 deri në korrik të vitit 2022.

Të pandehurit me inicialet T.D, M.S, V.L, A.A, V.M, A.S, A.C, M.J, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” ndërsa të pandehurit B.K, A.A, S.S dhe D.I, akuzohen se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

“Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër të pandehurve është ngritur për shkak të dyshimit të bazuar mirë se gjatë periudhës kohore shtator 2021 deri në korrik 2022, në pikë kalimin kufitar tek Hani i Elezit, gjegjësisht në zyrën e Evidencës Paraprake si dhe gjatë patrullimit si Njësi e Anti Kontrabandës në pjesën veriore por edhe në pjesë tjera të vendit, të pandehurit në cilësinë e personave zyrtar – zyrtar policor, në vazhdimësi secili veç e veç por edhe duke bashkëvepruar me njëri tjetrin, në mënyrë të drejtpërdrejtë, kanë pranuar para në shuma të ndryshme, me qëllim që të mos e kryejnë veprimin zyrtar të cilin ata duhej ta kryenin, si mbikëqyrjen e rregullt doganore dhe kontrollin e rregullt kufitar” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të datës 16.02.2024.

Aktakuza është ngritur në Departamentin Special të Gjykatës Themelore të Prishtinës.