Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, pranohet edhe një viktimë në procesin gjyqësor

Në shqyrtimin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, është pranuar edhe një viktimë tjetër si pjesë e këtij procesi gjyqësor.

Deri më tani, numri total i viktimave në këtë çështje arrin në 141.

Kjo u bë e ditur nga faqja zyrtare e Dhomave të Specializuara, ku thuhet se trupi gjykues ka nxjerr vendimin e shtatë mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen Thaçi dhe të tjerët.

‘‘Një parashtrues i kërkesës u pranua si viktimë pjesëmarrëse në proces gjyqësor dhe do t’i shtohet grupit ekzistues të viktimave në këtë çështje (grupi 1 i cili numëronte 140 viktima pjesëmarrëse) dhe do të përfaqësohet nga i njëjti mbrojtës i viktimave’’ – thuhet në njoftim.

Në njoftim, bëhet e ditur se trupi gjykues ka theksuar se afati për paraqitjen e kërkesave për pranimin e viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje ka skaduar me 15 shkurt 2023.

Mirëpo, sipas trupit gjykues, ka ekzistuar një arsye e vlefshme për të marrë në konsideratë informacione shtesë, dhe të njëjtit kanë vendosur të rivlerësojnë këtë kërkesë të ridorëzuar nga një parashtrues i refuzuar më herët.

‘‘Bashkë me të, numri gjithsej i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore arrin në 141’’ – thuhet tutje në njoftim.

Versionin publik të redaktuar, në gjuhën angleze të këtij vendimi mund ta gjeni KËTU.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.

Deri tani, 141 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.
Ata nuk kanë pranuar fajësinë për akuzat në fjalë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.