Nga takimi i korrikut 2017 Thaçi- Vuçiq. Foto: BE

BE: Keqardhje që Serbia Kërkoi Shtyrje të Zbatimit të Marrëveshjes

Bashkimi Europian shprehu keqardhje për vonesat në fillimin e zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë në komunat veriore të Kosovës të cilat, sipas zyrtarëve në Bruksel, erdhën pas kërkesës së qeverisë së Serbisë për shtyrje të afatit për zbatim.

Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, tha për KALLXO.com se BE pret zbatim të plotë të marrëveshjes ndërsa drejtoi gishtin kah Beogradi duke e bërë përgjegjës për vonesat e dala sot.

“Ne shprehim keqardhje për kërkesën për shtyrje të bërë nga Beogradi… Prishtina ka përmbushur të gjitha zotimet në lidhje me zbatimin e marrëveshjes për drejtësinë në kuadër të dialogut”, tha Kocijançiç.

Sipas saj, integrimi i marrëveshjes për drejtësi është i rëndësishëm “për ta përmirësuar sundimin e ligjit në tërë Kosovën e sidomos në rajonin e Mitrovicës”.

“Bashkimi Europian pret angazhim konstruktiv për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun që po e lehtëson. Është qenësore që integrimi i drejtësisë të bëhet pa vonesa të mëtejme”, shtoi Kocijançiç.

Më herët gjatë ditës së sotme, Presidenti i Kosovës akuzoi Serbinë për pengim të zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë ndërsa BE-në për pafuqi për ta detyruar Serbinë ta zbatojë këtë marrëveshje, pasi që gjykatësit dhe prokurorët nga veriu i Kosovës nuk shkuan në zyrën e tij për ta bërë betimin.

http://kallxo.com/deshton-dekretimi-gjykatesve-e-prokuroreve-serbe-thaci-akuzon-serbine-e-ne/