Foto: Report.tv

BE-ja e gatshme t’i dalë në ndihmë Shqipërisë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian Ferderica Mogherini dhe Komisioneri Christos Stylianides përmes një deklarate për media janë solidarizuar me Shqipërinë pas tërmetit të sotëm, që deri më tani ka lënë 7 persona të vdekur.

“Në vazhdën e tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë herët në mëngjes, duke shkaktuar një humbje të disa jetëve dhe duke plagosur shumë më tepër, ne shprehim ngushëllimet tona të thella për njerëzit dhe autoritetet e vendit”, thuhet në deklaratën e zyrtarëve të BE-së.

Bashkimi Evropian ka shtuar se qëndron në solidaritet me Shqipërinë dhe është i gatshëm të ofrojë ndihmë, përfshirë edhe përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Unionit.

“Qendra jonë e Koordinimit për Reagimin e Emergjencave (ERCC) ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e mbrojtjes civile në Shqipëri. Ne mbetemi në kontakt me qeverinë e Shqipërisë për të identifikuar mënyrat më të mira që mund t’i ndihmojmë në këtë moment të vështirë”, thuhet në deklaratën e tyre.

Mëngjesin e sotëm Shqipëria është goditur nga disa tërmete, të cilat janë ndier edhe në Kosovë dhe më gjerë.

Liderë të institucioneve të Kosovës kanë shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë shtetit shqiptare, përderisa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), janë nisur për në zonat e prekura nga tërmetet.

KALLXO.com do të ju mbajë të informuar për zhvillimet në Shqipëri.