Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini - Foto: REL/AFP

Shqipëria e Maqedonia e Veriut, Mogherini shpreh keqardhje për ‘gabimin historik’ të liderëve europianë

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini tha se liderët e Bashkimit Europian bënë një gabim historik kur ata nuk arritën të bien dakord për fillimin e bisedimeve për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në samitin e tyre.

Mogherini shkroi sot në blogun e saj se shpreh keqardhje që liderët europianë nuk mund të pajtoheshin përkundër përparimit të jashtëzakonshëm të bërë nga të dyja vendet.

“Kjo është shumë më tepër sesa një shans i humbur, është një gabim historik që shpresojmë të korrigjohet sa më shpejt që të jetë e mundur,” porositi Mogherini.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron ishte kundërshtari më i zëshëm i fillimit të bisedimeve të anëtarësimit gjatë mbledhjes së Këshillit Europian të enjten dhe të premten, duke argumentuar se procedurat e zgjerimit duhet së pari të rishikohen para se të lejojnë vendet të hyjnë në BE./21Media