Foto: KALLXO.com

Pamje ekskluzive të konfiskimit të dokumenteve në komunën ilegale të Shtërpcës

Policia dhe Prokuroria e Ferizajt janë rikthyer sërish në Shtërpcë, ku katër muaj më parë e kishin mbyllur komunën ilegale apo paralele serbe.

Objekti i komunës paralele ishte mbyllur në aksionin e datës 16.3.2022 dhe nga atëherë ishte ruajtur nga Policia e Kosovë.

Në mëngjesin e 7 korrikut, policët dhe prokurorët ia kanë mësyrë sërish Shtërpcës.

Tash për të sekuestruar kamerat ilegale, për të cilat besohet se pamjet e lëvizjes së qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës i dërgonin në Serbi.

Prokuroria pasi kishte siguruar shkresat e Gjykatës ishte rikthyer më 7 korrik për të sekuestruar dokumentet dhe mjetet e punës që ishin brenda atij objekti.  Ky rast udhëhiqej nga prokurori i krimeve të rënda në Ferizaj, Rasim Maloku.

“Në aksionin e fundit të rastit Brezovica objekti i komunës ilegale është mbyllur dhe është ruajtur rregullisht nga Policia mirëpo nga ekzaminimi që u kemi bo disa pajisjeve teknologjike është vërtetuar që ka materiale të ndaluara që operojnë në këtë komunë. Këto struktura ilegale meqë kemi të bëjmë më një veprimtarit kundërkushtetuese  kështu qe tani do t’i sekuestrojmë të gjitha materialet që gjenden në ketë objekt të komunës ilegale dhe ato do të ekzaminohen për procedurë të mëtutjeshme”, tha për KALLXO.com prokurori Maloku.

Ai tregoi se Prokuroria ka nisur një hetim ndaj 99 personave që kanë organizuar strukturat ilegale në komunën e Shtërpcës.

“Kemi filluar një hetim ndaj 99 personave që kanë bërë këto organizime kundërkushtetuese duke bërë mbledhjen e informacioneve të cilat me pas i kanë bartur në strukturat e sigurisë në shtetin e Serbisë”, tha Maloku.

Pasi u vërtetua se objekti ishte i ruajtur dhe nuk kishte ndërhyrje të personave aty brenda prokurori Maloku ka dhënë urdhër që sendet që gjendeshin brenda të konfiskohen.

“Këtu në objektin e strukturave ilegale do të konfiskohet i gjithë dokumentacioni që gjendet në këtë objekt si dhe mjetet e punës siç janë kompjuterët dhe pajisjet tjera me të cilat kanë punuar këto struktura”, theksoi Maloku duke treguar se objekti nuk ishte ruajtur mirë nga Policia.

“Objekti ka qenë i blombuar, i mbyllur me çelës dhe ka qenë i ruajtur nga Policia e Kosovës dhe nuk është dëmtuar dhe nuk ka depërtuar asnjë person brenda”, theksoi ai.

Policia kishte filluar bartjen e materialeve që ishin brenda  për t’i bartur ato për procedura të tjera në objektin e Prokurorisë në Ferizaj.

“Këto dokumente përbëjnë gjithë veprimtarinë që  është zhvillua nga këto struktura ilegale mirëpo detajisht do të prononcohemi pasi të bëjmë ekzaminimin e tyre sepse kemi të bëjmë me dokumente që janë nga viti 2011 e tutje sepse këtu komuna ka funksionuar sikur të ishte një komunë normale me drejtori të komunës”, theksoi Maloku.

Nga objekti konfiskohen qindra dosje dhe materiale të tjera. Secila nga provat fotografohet për t’u argumentuar më pas në Gjykatë në procesin që do zhvillohet ndaj personave të dyshimtë.