Ilustrim

Policia largon 47 kamera ilegale në Durrës, Krujë e Shijak, po hetohen 8 persona për vendosjen e tyre

Policia e Shtetit ka larguar 47 kamera ilegale të vendosura në Durrës, Shijak dhe Krujë.

Në kuadër të operacioni policor të koduar “Fijet”, janë duke u hetur 8 persona, prej tyre 2 nga Durrësi dhe gjashtë të tjerë nga Shijaku, të cilët dyshohet se kanë montuar këto kamera në mënyrë të kundërligjshme.

Në Durrës, në lagjet nr. 6 dhe nr. 17, janë çmontuar 11 kamera, si dhe janë në hetim, shtetasit D. K. dhe P. D., i cili aktualisht është shpallur në kërkim për një vepër tjetër penale.

Plani operacional ka vijuar në Shijak, ku  u çmontuan dhe u sekuestruan 18 kamera të vendosura në lagjen e “Keçeve” dhe në lagjet “Popullore”, “Kodër Sukth” dhe “Partizani”.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, janë në hetim shtetasit J. K., A. B., A. A., Xh. V., A. M. dhe S. Gj.

Gjithashtu, plani operacional “Fijet”, ka vijuar në Krujë dhe në Nikël, ku janë çmontuar dhe sekuestruar 18 kamera të tjera, të vendosura në shtyllat elektrike të disa lagjeve të qytetit të Krujës dhe në Nikël.

“Vijon intensivisht puna hetimore, për identifikimin dhe procedimin penal, të shtetasve që kanë vendosur në mënyrë të kundërligjshme, këto kamera. Vijojnë hetimet e thelluara, për të identifikuar dhe proceduar shtetasit që kanë vendosur kamera në Nikël dhe në Krujë, si dhe për të zbardhur qëllimin e vërtetë të vendosjes së tyre” – thuhet në njoftim.