Numër gjigant i personave të dyshimtë në Shtërpcë

Në mëngjesin e sotëm Policia ka zbatuar urdhrin e Gjykatës dhe Prokurorisë së Ferizajt për bastisjen e disa lokacioneve në qytetin e Shtërpcës. Aksioni është udhëhequr nga prokurori i Ferizajt, Rasim Maloku.

Prokurori Maloku ka thënë sot gjatë aksionit në qytetin e Shtërpcës se ka filluar një hetim ndaj 99 personave që kanë organizuar strukturat ilegale në komunën e Shtërpcës.

“Kemi filluar një hetim ndaj 99 personave që kanë bërë këto organizime kundërkushtetuese duke bërë mbledhjen e informacioneve të cilat me pas i kanë bartur në strukturat e sigurisë në shtetin e Serbisë”, theksoi Maloku.

Maloku këto komente i ka bërë gjatë kohës sa Policia e Kosovës ishte duke i sekuestruar materialet në objektit e strukturave ilegale në Komunën e Shtërpcës e po ashtu ishin duke u bastisur edhe 3 lokacione të tjera.

“Janë duke u bastisur 4 lokacione dhe janë duke u hequr kamerat e sigurisë. Këto struktura ilegale janë kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe konsumojnë elemente të veprës penale – bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese të ndërlidhura për veprën e spiunazhit”, ka thënë  Maloku për KALLXO.com.

Aksioni i sotëm nuk ishte i lidhur direkt me ndërtimet pa leje në Brezovicë por ndërlidhet me disa të arrestuar të Brezovicës pasi që njëri nga ta, përkatësisht ish-kryetari i Komunës, Bratisllav Nikoliq, është edhe koordinator i strukturave ilegale, e këto struktura kanë menaxhuar me kamerat e sigurisë që kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe institucionet publike të Republikës së Kosovës.