Aksioni për largimin e kamerave ilegale në Shtërpcë në korrik të vitit 2022, Foto: KALLXO.com

Pamje ekskluzive – Sekuestrimi i kamerave ilegale që dyshohet se pamjet nga Kosova i dërgonin në Serbi

Forca të mëdha të Policisë, të shoqëruar edhe nga zyrtarë të Prokurorisë së Ferizajt, në orët e para të 7 korrikut ia kanë mësyrë Shtërpcës.

Shënjestër e operacionit të përbashkët ishin kamerat e vendosura në pjesë të ndryshme të Shtërpcës.

Dyshimet e institucioneve të Kosovës ishin se kamerat ishin ilegale dhe se pamjet dërgoheshin në Serbi, veprim që ishte kundër rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës.

Gjatë aksionit, për të cilin ka lëshuar urdhër Gjykata, përveç kamerave ilegale Policia ka sekuestruar edhe materialet dhe sende të tjera të vendosura në objektin e komunës ilegale në Shtërpcë.

Se ka dyshime të bazuara se pamjet e kamerave janë bartur në Serbi e ka konfirmuar për KALLXO.com prokurori i rastit, Rasim Maloku.

“Kemi dyshime se pamjet e kamerave të sigurisë dhe informacionet e marra nga to janë bartur në shtetin e Serbisë te struktura e sigurisë atje”, ka theksuar Maloku.

Edhe kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari, ka thënë gjatë aksionit se ka dyshime se pamjet e kamerave janë bartur në Serbi.

“Pas disa hetimeve që i kemi bërë me prokurorin e çështjes dhe me Departamentin e krimeve të rënda të Policisë në Prishtinë dhe me urdhrin e Gjykatës kemi bo bastisjen në disa lokacione, respektivisht në strukturat ilegale. Po ashtu gjatë këtij aksioni është bërë tërheqja e kamerave të cilat janë vendosur nga strukturat ilegale të komunës së Shtërpcës ku është bërë incizimi i hyrjeve dhe daljeve të çdo qytetari në komunën e Shtërpcës d.m.th. këto kamera nuk i ka kontrollu Policia por këto struktura ilegale”, tha Jashari, i cili ka treguar se gjithashtu janë konfiskuar edhe pajisjet ku janë ruajtur këto incizime.

“Po ashtu gjatë bastisjes në një shkollë fillore kemi gjetur pajisjen e cila bën monitorimin e kamerave ku edhe dyshohet se të gjitha këto incizime dërgohen në republikën e Serbisë”, tha Jashari.

Në ambientet e shkollës janë gjetur pajisjet që bëjnë incizimin e materialeve të marra nga kamerat e strukturave ilegale.

Pajisjet ishin të vendosura në zyrën e drejtorit të shkollës.

Aty të dy prokurorët marrin raport nga zyrtarët e Policisë për mënyrën e funksionimit të kamerave.

Prokurori i rastit ka dhënë urdhrin për sekuestrimin e të gjithave pajisjeve që gjenden brenda zyrës së drejtorit dhe gjithashtu ka obliguar Policinë që ta thërrasin për ta intervistuar drejtorin e shkollës për mënyrën se si u vendosën ato pajisje aty.