Policia largon 6 kamera ilegale në Zubin Potok

Policia e Kosovës ka larguar sot 6 kamera ilegale që monitoronin vendet publike në Zubin Potok.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, tha për KALLXO.com se në këtë komunë kishin larguar edhe 7 kamera të tjera në verën e këtij viti.

“Ndërsa nga Mitrovica e Veriut, këtë vit janë largu 38 kamera” – tregoi Elshani.

Ai shtoi se sipas Ligjit, monitorimi me kamera në vendet publike bëhet vetëm nga Policia e Kosovës.

Në vitin 2022, KALLXO.com po ashtu kishte raportuar për kamerat ilegale të vendosura në tri komunat në veri të Kosovës, ku çdo lëvizje monitorohej nga dhjetëra kamera të sigurisë, të cilat janë të vendosura në disa lokacione të ndryshme.