Çka u konfiskua dje në operacionin e policisë në Shtërpcë?

Policia e Kosovës ka zbatuar dje urdhrin e Gjykatës dhe Prokurorisë së Ferizajt për bastisjen e disa lokacioneve në qytetin e Shtërpcës.

Sipas njoftimit të policisë, janë sekuestruar kompjuterë, dosje me dokumente, libra amëz, kamera të vendosura nëpër rrugë, etj.

“Bazuar në urdhëresën e gjykatës, janë kryer disa kontrolle në lokacione të ndryshme në komunën e Shtërpcës”, ka njoftuar PK.

Policia ka njoftuar se rasti është duke u hetuar.

Me urdhër të Gjykatës së Ferizajt, nën mbikëqyrjen e prokurorisë gjatë aksionit janë sekuestruar më dhjetëra dosje të cilat ishin të vendosur në zyret e ish organeve paralele të Serbisë në këtë komunë. Ky objekt ishte mbyllur nga Policia ditë më parë. 

Po ashtu gjatë këtij aksioni janë larguar edhe kamerat ilegale të cilat monitorin qytetin.

Kamerat e sigurisë që ishin të vendosura në qytetin e Shtërpcës, dje janë larguar nga Policia mbi dyshimin se struktura ilegale janë duke vepruar kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe konsumojnë elemente të veprës penale – bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese të ndërlidhura për veprën e spiunazhit.

Dyshimet janë se pamjet e këtyre kamerave që kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe të institucioneve publike të Republikës së Kosovës janë bartur më pas në Serbi.

Se ka dyshime të bazuara se pamjet e kamerave janë bartur në Serbi e ka konfirmuar për KALLXO.com prokurori i rastit Rasim Maloku.

“Kemi dyshime se pamjet e kamerave të sigurisë dhe informacionet e marra nga to janë bartur në shtetin e Serbisë tek struktura e sigurisë atje”, ka theksuar Maloku.

Prokurori Maloku ka thënë se gjatë aksionit në qytetin e Shtërpcës se ka filluar një hetim ndaj 99 personave që kanë organizuar strukturat ilegale në komunën e Shtërpcës.

“Kemi filluar një hetim ndaj 99 personave që kanë bërë këto organizime kundërkushtetuese duke bërë mbledhjen e informacioneve të cilat me pas i kanë bartur në strukturat e sigurisë në shtetin e Serbisë”, theksoi Maloku.

Maloku këto komente i ka bërë gjatë kohës sa Policia e Kosovës ishte duke i sekuestruar materialet në objektet e strukturave ilegale në Komunën e Shtërpcës e po ashtu ishin duke u bastisur edhe 3 lokacione të tjera.

KALLXO.com ka sjellë pamjet ekskluzive nga aksioni i djeshëm i Policisë në komunën e Shtërpcës.

Ekskluzive – Detaje nga operacioni i Shtërpcës